[1] Këndojini Zotit një himn të ri sepse ka bërë mrekulli; dora e tij e djathtë dhe krahu i tij i shenjtë i kanë siguruar shpëtimin.
[2] Zoti ka bërë të njohur shpëtimin e tij dhe ka shprehur drejtësinë e tij përpara kombeve.
[3] Ai ka mbajtur mend mirësinë e tij dhe besnikërinë e tij për shtëpinë e Izraelit; të tëra skajet e tokës kanë parë shpëtimin e Perëndisë tonë.
[4] Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.
[5] Këndojini lavde Zotit me qeste, me qesten dhe me zërin e këngës.
[6] Dërgoni britma gëzimi me boritë dhe me zërin e bririt përpara Zotit, Mbretit.
[7] Le të zhurmojë deti dhe gjithçka ndodhet në të, bota dhe banorët e saj.
[8] Lumenjtë le të rrahin duart dhe malet le të ngazëllohen tok nga gëzimi përpara Zotit,
[9] sepse ai vjen të gjykojë tokën; ai do të gjykojë botën me drejtësi dhe popujt me paanësi.