[1] Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.
[2] Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,
[3] Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.
[4] Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.
[5] Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.
[6] Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.
[7] Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.
[8] Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.
[9] Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.
[10] O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.
[11] Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.
[12] Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.
[13] Atëherë do t'u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.
[14] Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.
[15] O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.
[16] Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.
[17] Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.
[18] Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.
[19] Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.