[1] Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
[2] Kështu thonë të shpenguarit prej Zotit që ai i ka çliruar nga dora e kundërshtarit,
[3] dhe që ka mbledhur nga vende të ndryshme, nga lindja dhe perëndimi, nga veriu dhe nga jugu.
[4] Ata endeshin nëpër shkretëtirë, në vënde të shkretuara, dhe nuk gjenin asnjë qytet ku të banonin.
[5] Të uritur e të etur, jeta e tyre po ligështohej.
[6] Por në fatkeqësitë e tyre ata i thirrën Zotit dhe ai i çliroi nga ankthet e tyre;
[7] dhe i çoi në rrugën e drejtë, me qëllim që të arrinin në një qytet ku të banonin.
[8] Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve.
[9] Sepse ai ka ngopur shpirtin e etur dhe e ka mbushur me të mira shpirtin e uritur.
[10] Të tjerë rrinin në terr dhe në hijen e vdekjes, robër të pikëlluar dhe në zinxhira,
[11] sepse ishin rebeluar kundër fjalëve të Perëndisë dhe i kishin përçmuar këshillat e Shumë të Lartit;
[12] prandaj ai rrëzoi zemrën e tyre me shqetësime; ata ranë poshtë dhe asnjeri nuk u vajti në ndihmë.
[13] Por në fatkeqësinë e tyre ata i thirrën Zotit, dhe ai i shpëtoi nga ankthet e tyre,
[14] i nxori nga terri dhe nga hija e vdekjes dhe i këputi lidhjet e tyre.
[15] Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve,
[16] sepse ai ka shembur portat prej bronzi dhe ka këputur shufrat prej hekuri.
[17] Disa njerëz pa mend vuanin për sjelljen e tyre rebele dhe për mëkatet e tyre;
[18] ata urrenin çdo ushqim dhe kishin arritur në prag të vdekjes,
[19] por në fatkeqësinë e tyre i thirrën Zotit, dhe ai i shpëtoi nga ankthet e tyre.
[20] Ai dërgoi fjalën e tij dhe i shëroi, i shpëtoi nga gropa.
[21] Le ta kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve;
[22] le të ofrojnë flijime lëvdimi dhe le të tregojnë veprat e tij me këngë gëzimi.
[23] Ata që zbresin në det me anije dhe që bëjnë tregëti mbi ujërat e mëdha,
[24] shohin veprat e Zotit dhe mrekullitë e tij në humnerat e detit.
[25] Sepse ai urdhëron dhe shkakton një erë furtune, që i ngre përpjetë valët e detit.
[26] Ata ngjiten deri në qiell dhe bien në humnera; shpirti i tyre ligështohet nga ankthi.
[27] Atyre u merren këmbët dhe lëkunden si të dehur, dhe nuk dinë më ç'të bëjnë.
[28] Por në fatkeqësitë e tyre i këlthasin Zotit, dhe ai i shpëton nga ankthet e tyre.
[29] Ai e fashit furtunën në një murmurim dhe valët e saj pushojnë.
[30] Kur ato qetësohen, ata gëzohen, dhe ai i çon në portin e dëshiruar prej tyre.
[31] Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë që bën në dobi të bijve të njerëzve;
[32] le ta lëvdojnë në kuvendin e popullit dhe le ta lavdojnë në këshillin e pleqve.
[33] Ai i shndërroni lumenjtë në shkretëtirë dhe burimet e ujit në vende të thata;
[34] tokën pjellore në vend të thatë për shkak të sjelljes së keqe të banorëve të saj.
[35] Ai e shndërron shkretëtirën në liqen dhe tokën e thatë në burime uji.
[36] Atje ai strehon të uriturit, dhe këta ndërtojnë një qytet për të banuar,
[37] mbjellin arat dhe kultivojnë vreshta që prodhojnë një korrje të bollshme.
[38] Ai i bekon dhe ata shumëzohen fort, dhe ai nuk e pakëson bagëtinë e tyre.
[39] Por pastaj pakësohen në një numër të vogël dhe dobësohen për shkak të shtypjes, të fatkeqësisë dhe të ankthit.
[40] Ai hedh përbuzjen mbi princat dhe i bën që të enden nëpër vende të shkreta, ku nuk ekziston asnjë rrugë.
[41] Por e ngre nevojtarin nga varfëria dhe i shton familjet e tyre si një kope.
[42] Njerëzit e drejtë e shohin këtë dhe kënaqen, por tërë njerëzit e këqij e mbajnë gojën të mbyllur.
[43] Ai që është i urtë le t'i këqyrë këto gjëra dhe le të çmojë mirësinë e Zotit.