Skip to content
Opens in a new window

[1] O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi.

[2] Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.

[3] Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve".

[4] Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.

[5] Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes.

[6] Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet.

[7] Sepse jemi të konsumuar nga zemërimi yt dhe jemi të tmerruar nga tërbimi yt.

[8] Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate.

[9] Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd; ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë.

[10] Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t'u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.

[11] Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe mërinë tënde sipas frikës që duhet pasur prej teje?

[12] Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.

[13] Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu.

[14] Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona.

[15] Na gëzo në përpjestim me ditët që na ke pikëlluar dhe në kompensim të viteve që kemi vuajtur nga fatkeqësitë.

[16] Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre.

[17] Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona.

Psalmet — Chapters