[1] Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë.
[2] Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela.
[3] Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni.
[4] Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi.
[5] Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit.
[6] Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij.
[7] Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare.
[8] Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës.
[9] Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai udhëroi dhe gjëja u shfaq.
[10] Zoti e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjeson synimet e popujve.
[11] Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez.
[12] Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij.
[13] Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve.
[14] Nga vendi i banimit të tij ai këqyr tërë banorët e tokës.
[15] Ai e ka formuar zemrën e të gjithëve, që kupton tërë veprat e tyre.
[16] Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe; trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe.
[17] Kali është një shpresë e kotë shpëtimi, dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku.
[18] Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,
[19] për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t'i mbajtur të gjallë në kohë urie.
[20] Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë.
[21] Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë.
[22] Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti.