[1] Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve.
[2] Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij.
[3] Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.
[4] Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij.
[5] Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij,
[6] ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij.
[7] Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën.
[8] Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij,
[9] besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut,
[10] që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,
[11] duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj",
[12] kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend,
[13] dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër.
[14] Ai nuk lejoi që t'i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre,
[15] dhe tha: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi".
[16] Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh.
[17] Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.
[18] I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri.
[19] Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë.
[20] Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin,
[21] dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij,
[22] për t'i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t'u mësuar pleqve të tij diturinë.
[23] Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit.
[24] Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij.
[25] Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij.
[26] Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur.
[27] Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit.
[28] Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij.
[29] I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij.
[30] Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre.
[31] Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre.
[32] U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre;
[33] goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre.
[34] Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh,
[35] që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre.
[36] Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre;
[37] dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej.
[38] Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta.
[39] Ai shpalosi një re për t'i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t'i ndriçuar natën.
[40] Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit.
[41] Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë.
[42] Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij;
[43] pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi,
[44] dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve,
[45] me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t'u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja.