[1] Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.
[2] Sepse do të thonë kombet: "Ku është tani Perëndia i tyre?".
[3] Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë.
[4] Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.
[5] kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,
[6] kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin,
[7] kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë.
[8] Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.
[9] O Izrael, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.
[10] O shtëpi e Aaronit, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.
[11] O ju që keni frikë nga Zoti; kini besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.
[12] Zoti na kujtoi dhe do të na bekojë; po, ai do të bekojë shtëpinë e Izraelit dhe do të bekojë shtëpinë e Aaronit.
[13] Ai do të bekojë ata që kanë frikë nga Zoti, të vegjël dhe të mëdhenj.
[14] Zoti ju bëftë të rriteni, ju dhe bijtë tuaj.
[15] Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.
[16] Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.
[17] Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes.
[18] Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja.