Skip to content
Opens in a new window

[1] O Perëndi i hakmarrjes, o Zot, Perëndi i hakmarrjeve, shkëlqe.

[2] Çohu, o gjykatës i tokës, dhe jepu shpërblimin mëndjemëdhenjve.

[3] Deri kur të pabesët, o Zot, deri kur të pabesët do të triumfojnë?

[4] Ata vjellin fjalë dhe mbajnë fjalime të paturpshme; të gjithë ata që kryejnë paudhësi flasin me arrogancë.

[5] Ata marrin nëpër këmbë popullin tënd, o Zot, dhe shtypin trashëgiminë tënde.

[6] Vrasin gruan e ve dhe të huajin, dhe vrasin jetimët,

[7] dhe thonë: "Zoti nuk shikon, Perëndia i Jakobit nuk kupton".

[8] Kërkoni të kuptoni, o njerëz të pamend midis popullit; dhe ju budallenj, kur do të bëheni të zgjuar?

[9] Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin, a nuk shikon?

[10] Ai që ndreq kombet, a nuk do t'i dënojë ata, ai që i mëson diturinë njeriut?

[11] Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi.

[12] Lum ai njeri që ti ndreq, o Zot, dhe që ti mëson sipas ligjit tënd,

[13] për t'i dhënë prehje në ditët e fatkeqësisë, deri sa t'i hapet gropa të pabesit.

[14] Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij.

[15] Gjykimi do të mbështetet përsëri mbi drejtësinë, dhe tërë ata që janë të drejtë nga zemra do t'i shkojnë pas.

[16] Kush do të ngrihet në favorin tim kundër njerëzve të këqij? Kush do të më dalë krah kundër atyre që kryejnë paudhësi?

[17] Në qoftë se Zoti nuk do të më kishte ndihmuar, do të kisha përfunduar shpejt në vendin e heshtjes.

[18] Kur thashë: "Këmba ime ngurron", mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur.

[19] Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër.

[20] Do të jetë vallë aleati yt gjykata e padrejtë, që thur padrejtësi në emër të ligjit?

[21] Ata mblidhen tok kundër të drejtit dhe dënojnë gjakun e pafajshëm.

[22] Por Zoti është kështjella ime dhe Perëndia im është kalaja në të cilën gjej strehë.

[23] Ai do të lëshojë mbi ta ligësinë e tyre dhe do t'i bëjë të vdesin për shkak të paudhësisë së tyre; Zoti, Perëndia ynë, do t'i shkatërrojë.

Psalmet — Chapters