Skip to content
Opens in a new window

[1] O Perëndi i lëvdimit tim, mos hesht,

[2] sepse njerëz të pabesë dhe të pandershëm kanë hapur gojën e tyre kundër meje dhe kanë folur kundër meje me një gjuhë gënjeshtare;

[3] më kanë sulmuar me fjalë urrejtjeje dhe më kanë luftuar pa shkak.

[4] Në këmbim të dashurisë sime më akuzojnë, por unë i drejtohem lutjes.

[5] Ata më kanë larë të mirën me të keqen dhe dashurinë time me urrejtje.

[6] Vendos një njeri të keq mbi të dhe një akuzues le të jetë në të djathtë të tij.

[7] Kur të gjykohet, bëj që të gjendet fajtor dhe lutja e tij të bëhet mëkat.

[8] Qofshin të pakta ditët e tij dhe një tjetër zëntë vendin e tij.

[9] Bijtë e tij mbetshin jetimë dhe gruaja e tij e ve.

[10] U bëfshin endacakë dhe lypsarë bijtë e tij dhe e kërkofshin ushqimin larg shtëpive të tyre të rrënuara.

[11] Fajdexhiu i marrtë të gjitha pasuritë e tij dhe të huajtë i vjedhshin frytin e mundit të tij.

[12] Askush mos pastë mëshirë për të dhe askujt mos i ardhtë keq për jetimët e tij.

[13] U shkatërrofshin pasardhësit e tij; në brezin e dytë emri i tyre u shoftë.

[14] U kujtoftë para Zotit paudhësia e etërve të tij dhe mëkati i nënës së tij mos u shoftë.

[15] U dalshin gjithnjë mëkatet e tyre para Zotit, me qëllim që ai të zhdukë nga toka kujtimin e tyre.

[16] Sepse atij nuk i shkoi ndër mend të kishte dhemshuri, por e ka përndjekur të varfërin, nevojtarin dhe atë që ishte zemërthyer deri sa t'u shkaktonte vdekjen.

[17] Mbasi e ka dashur mallkimin, rëntë ai mbi të; dhe mbasi nuk është kënaqur me bekimin, ky u largoftë prej tij.

[18] Mbasi u mbulua me mallkim si me një rrobe, i hyftë ai si ujë në trupin e tij dhe si vaj në kockat e tij;

[19] Qoftë për të si një rrobe që e mbulon dhe si një brez që e lidh përjetë.

[20] Qoftë ky nga ana e Zotit shpërblimi për kundërshtarët e mi dhe për ata që flasin keq kundër meje.

[21] Por ti, o Zot, o Zot, vepro në favorin tim për hir të emrit tënd, çliromë me dhemshurinë dhe mirësinë tënde,

[22] sepse unë jam i varfër dhe nevojtar, dhe zemra ime është plagosur brenda meje.

[23] Unë iki si një hije që zgjatet, jam i tronditur si një karkalec.

[24] Gjunjët e mi dridhen nga të pangrënët dhe trupi im është dobësuar për mungesë të dhjamit.

[25] Jam bërë një faqezi për ta; kur më shohin, tundin kokën.

[26] Ndihmomë, o Zot, Perëndia im, shpëtomë për dhemshurinë tënde,

[27] dhe ta dinë që kjo është vepër e duarve të tua, dhe që ti, o Zot, e ke bërë.

[28] Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh; kur të ngrihen, do të mbeten të hutuar, por shërbëtori yt do të gëzohet.

[29] U mbulofshin me turp kundërshtarët e mi dhe u mbështjellshin me turp si me mantel,

[30] Unë do të kremtoj me të madhe Zotin me gojën time dhe do ta lëvdoj në mes të një turme të madhe,

[31] sepse ai rri në të djathtë të të varfërit për ta shpëtuar nga ata që e dënojnë me vdekje.

Psalmet — Chapters