Skip to content
Opens in a new window

[1] Dëgjoni gjithë popujt, vini veshin, o banorë të botës,

[2] qofshin njerëz të popullit dhe fisnikë, të pasur dhe të varfër tok.

[3] Nga goja ime do të dalin fjalë diturie dhe kredhja në mendime e zemrës sime do të sjellë mirëkuptim.

[4] Unë do ta ndjek një proverb, do ta paraqes enigmën time me harpë.

[5] Pse duhet të kem frikë nga ditët e fatkeqësisë, kur më rrethon ligësia e kundërshtarëve të mi,

[6] ata që kanë besim në pasuritë e tyre dhe mburren me bollëkun e pasurisë së tyre?

[7] Asnjeri nuk mund të shpengojë kurrsesi vëllanë e tij, as t'i japë Perëndisë çmimin e shpengimit të tij,

[8] sepse shpengimi i shpirtit të tij është shumë i shtrenjtë, dhe çmimi i saj nuk do të mjaftonte kurrë,

[9] për të bërë që ai të jetojë përjetë dhe të mos shohë gropën.

[10] Në fakt të gjithë shohin që njerëzit e urtë vdesin dhe që po në atë mënyrë vdesin njerëzit e pamend a mendjeshkurtër, duke ua lënë të tjerëve pasuritë e tyre.

[11] Me mendjen e tyre ata pandehin se shtëpitë e tyre do të qëndrojnë për gjithnjë, që banesat e tyre janë të përjetshme; dhe kështu u vënë tokave emrin e tyre.

[12] Megjithatë edhe njeriu që jeton në mes të pasurive nuk e ka të gjatë; ai është njëlloj si kafshët që mbarojnë.

[13] Kjo është sjellja e njerëzve pa mend dhe e atyre që u shkojnë dhe miratojnë fjalimet e tyre. (Sela)

[14] Shtyhen si dele në drejtim të Sheolit; vdekja do t'i përpijë dhe në mëngjes njerëzit e drejtë do të sundojnë mbi ta. Luksi i tyre do të marrë fund në Sheol, larg banesës së tyre.

[15] Por Perëndia im do ta shpengojë shpirtin tim nga pushteti i Sheolit, sepse ai do të më pranojë. (Sela)

[16] Mos kij frikë kur dikush pasurohet, kur lavdia e shtëpisë së tij rritet,

[17] sepse kur do të vdesë, nuk do të marrë asgjë me vete; lavdia e tij nuk do të zbresë pas tij.

[18] Edhe në se në jetë e ndjente veten të lumtur (në fakt njerëzia të lavdëron kur pasurohesh),

[19] ai do të arrijë brezin e etërve të tij, që nuk do ta shohin kurrë më dritën.

[20] Njeriu që jeton në mes të pasurive pa pasur gjykim është njëlloj si kafshët që zhduken.

Psalmet — Chapters