[1] Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;
[2] i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.
[3] I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.
[4] Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)
[5] Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.
[6] Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.
[7] Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)
[8] Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.
[9] Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.
[10] Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi.
[11] Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona.
[12] Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët.
[13] Unë do të hyj në shtëpinë tënde me olokauste; do të plotësoj zotimet e mia,
[14] që buzët e mia kanë formuluar dhe që goja ime ka shqiptuar kur kaloja fatkeqësi.
[15] Do të të ofroj olokauste kafshësh të majme, me erën e këndshme të deshve; do të flijoj qe dhe cjep. (Sela)
[16] Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t'ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.
[17] I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time.
[18] Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.
[19] Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime.
[20] Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.