Skip to content
Opens in a new window

[1] Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime.

[2] Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta.

[3] Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar,

[4] nuk do t'ua fshehim bijve të tyre, por do t'i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë.

[5] Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t'ua bëjnë të njohura bijve të tyre,

[6] me qëllim që brezi i ardhshëm t'i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t'ua tregojnë bijve të tyre,

[7] dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij;

[8] dhe të mos jenë si etërit e tyre, një brez kokëfortë dhe rebel, një brez me zemër të paqëndrueshme dhe me një frymë jo besnike ndaj Perëndisë.

[9] Bijtë e Efraimit, njerëz të luftës, harkëtarë të zotë, kthyen shpinën ditën e betejës,

[10] nuk respektuan besëlidhjen e Perëndisë dhe nuk pranuan të ecnin sipas ligjit të tij,

[11] harruan veprat e tij dhe mrekullitë që u kishte treguar.

[12] Ai bëri mrekulli në prani të etërve të tyre, në vendin e Egjiptit dhe në fushën e Tsoanit.

[13] Ai e ndau detin dhe i bëri të kalojnë në mes të tij, dhe i mblodhi ujërat si një grumbull.

[14] Ditën drejtoi me anë të resë dhe tërë natën me një dritë zjarri.

[15] I çau shkëmbinjtë në shkretëtirë dhe i bëri të pijnë boll, si të ishte uji i humnerës së madhe.

[16] Nxori rrëket nga shkëmbi dhe bëri që të rridhnin ujëra si lumenj.

[17] Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij dhe të ngrejnë krye kundër Shumë të Lartit në shkretëtirë,

[18] dhe e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre.

[19] Dhe folën kundër Perëndisë, duke thënë: "A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë?

[20] Ja, ai e goditi shkëmbin dhe prej tij dolën ujëra dhe vërshuan përrenj. A mund t'i japë bukë dhe mish popullit të tij?

[21] Dhe kështu Zoti i dëgjoi dhe u zemërua fort, dhe një zjarr u ndez kundër Jakobit dhe zemërimi kundër Izraelit u ndez,

[22] sepse nuk i kishin besuar Perëndisë dhe nuk kishin pasur besim në shpëtimin prej tij.

[23] Megjithatë ai i urdhëroi retë e sipërme dhe hapi dyert e qiellit,

[24] dhe bëri që mbi ta të binte mana për të ngrënë dhe u dha atyre grurin e qiellit.

[25] Njeriu hëngri bukën e engjëjve; ai u dërgoi atyre ushqime sa të ngopeshin.

[26] Ai bëri të ngrihet në qiell era e lindjes dhe në sajë të fuqisë së tij bëri të ngrihet era e jugut,

[27] bëri të binin mbi ta mish si pluhuri dhe zogj si rëra e detit.

[28] Bëri që këto të binin në mes të kampit të tyre, rreth çadrave të tyre.

[29] Kështu ata hëngrën sa u ngopën, sepse Perëndia u kishte siguruar atyre atë që ata kishin dëshiruar.

[30] Ata nuk kishin akoma kënaqur pangopësinë e tyre dhe kishin akoma ushqim në gojë,

[31] kur zemërimi i Perëndisë shpërtheu kundër tyre, vrau më të fuqishmit prej tyre dhe rrëzoi më të mirët e Izraelit.

[32] Megjithatë ata vazhduan të mëkatojnë dhe nuk u besuan mrekullive të tij.

[33] Atëherë ai harxhoi ditët e tyre në kotësi dhe vitet e tyre në tmerre të papritura.

[34] Kur i vriste, ata e kërkonin dhe ktheheshin të kërkonin Perëndinë me zell.

[35] Kujtoheshin që Perëndia ishte Kështjella e tyre dhe që Perëndia shumë i larti ishte Shpëtimtari i tyre.

[36] Por ata e mashtronin me gojën e tyre dhe e gënjenin me gjuhën e tyre.

[37] Në fakt zemra e tyre nuk ishte e qëndrueshme ndaj tij dhe ata nuk ishin besnikë ndaj besëlidhjes së tij.

[38] Por ai, që është i mëshirshëm, ua fali paudhësinë e tyre dhe nuk i shkatërroi, dhe shumë herë përmbajti zemërimin e tij dhe nuk e la indinjatën e tij të shpërthejë,

[39] duke mbajtur mend që ata ishin mish, një frymë që kalon dhe nuk kthehet më.

[40] Sa herë provokuan indinjatën e tij në shkretëtirë dhe e hidhëruar në vetmi!

[41] Po, ata iu drejtuan Perëndisë shumë herë dhe përsëri e provokuan të Shenjtin e Izraelit.

[42] Nuk e kujtuan më fuqinë e tij as ditën që i kishte çliruar nga armiku,

[43] kur ai kishte bërë mrekullitë e tij në Egjipt dhe në fushën e Tsoanit;

[44] i kishte shndërruar lumenjtë dhe rrjedhat e ujit të Egjiptasve në gjak, me qëllim që të mos pinin dot.

[45] Kishte dërguar kundër tyre mizëri mizash që t'i hanin dhe bretkosa që t'i shkatërronin.

[46] Ua kishte dhënë të korrat e tyre krimbave dhe frytin e mundit të tyre karkalecave.

[47] I kishte shkatërruar vreshtat e tyre me breshër dhe fiqtë e tyre të Egjiptit me ngrica.

[48] Kishte braktisur bagëtinë e tyre në mëshirë të breshërit dhe kopetë e tyre në mëshirë të rrufeve.

[49] Kishte lëshuar mbi ta zjarrin e zemërimit të tij, indinjatën, inatin dhe fatkeqësinë, një turmë lajmëtarësh të fatkeqësisë.

[50] I kishte hapur udhën zemërimit të tij dhe nuk i kishte kursyer nga vdekja, por ia kishte braktisur jetën e tyre murtajës.

[51] I kishte goditur në Egjipt gjithë të parëlindurit dhe prodhimet e para në çadrat e Kamit.

[52] Por e kishte bërë popullin e tij të ikte si bagëtia dhe e kishte çuar nëpër shkretëtirë sikur të ishte një kope.

[53] I kishte udhëhequr me siguri dhe ata nuk patën frikë, por deti i kishte përpirë armiqtë e tyre.

[54] Dhe ai i solli kështu në tokën e tij të shenjtë, në malin që dora e djathtë e tij kishte pushtuar.

[55] I dëboi kombet para tyre dhe u caktoi atyre me short trashëgiminë, dhe bëri që fiset e Izraelit të banonin në çadrat e tyre.

[56] Por ata u orvatën dhe provokuan indinjatën e Perëndisë shumë të lartë dhe nuk respektuan statutet e tij.

[57] U tërhoqën madje prapa dhe u suallën në mënyrë të pabesë ashtu si etërit e tyre, dhe devijuan si një hark që gabon;

[58] provokuan zemërimin e tij me vendet e tyre të larta dhe e bënë ziliqar me skulpturat e tyre.

[59] Perëndia dëgjoi dhe u zemërua, dhe ndjeu një neveri të madhe për Izraelin.

[60] Kështu ai braktisi tabernakullin e Shilohut, çadrën që kishte ngritur midis njerëzve;

[61] dhe e la forcën e tij të bjerë rob dhe lavdinë e tij në dorë të armikut.

[62] Ia braktisi popullin e tij shpatës dhe u zemërua shumë kundër trashëgimisë së tij.

[63] Zjarri i konsumoi të rinjtë e tyre dhe virgjëreshat e tyre nuk patën asnjë këngë dasme.

[64] Priftërinjtë e tyre u vranë nga shpata dhe gratë e reja nuk mbajtën zi.

[65] Pastaj Zoti u zgjua si nga gjumi, ashtu si një trim që bërtet nën ndikimin e verës.

[66] I goditi armiqtë e tij në kurriz dhe i mbuloi me një turp të përjetshëm.

[67] Hodhi poshtë çadrën e Jozefit dhe nuk zgjodhi fisin e Efraimit,

[68] por zgjodhi fisin e Judës, malin e Sionit, që ai e do.

[69] Ndërtoi shenjtëroren e tij, ashtu si vëndet shumë të larta, ashtu si tokat që ka krijuar përjetë.

[70] Dhe zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij, dhe e mori nga vatha e dhenve,

[71] dhe e mori nga delet që mëndnin për të kullotur Jakobin, popullin e tij dhe Izraelin, trashëgiminë e tij.

[72] Dhe ai bëri që të kullosnin me ndershmërinë e zemrës së tyre dhe i udhëhoqi me shkathtësinë e duarve të tij.

Psalmet — Chapters