Skip to content
Opens in a new window

[1] O Zot, Perëndi i shpëtimit tim, unë bërtas ditë e natë para teje.

[2] Arriftë deri te ti lutja ime, vëri veshin britmës time,

[3] sepse shpirti im është ngopur me të keqen, dhe jeta ime ka arritur deri në Sheol.

[4] Tanimë përfshihem ndër ata që do të zbresin në gropë, jam si një njeri që nuk ka më forcë.

[5] Jam braktisur midis të vdekurve ashtu si të vrarët që janë në varr, të cilët ti nuk i mban mend dhe që janë prerë e janë larguar nga dora jote.

[6] Ti më ke shtënë në gropën më të thellë, në vënde të errëta, në humnerat.

[7] Mbi mua ka shpërthyer zemërimi yt, dhe ti më ke marrë me vete megjithë valët tua. (Sela)

[8] Ti më ke lënë pa miqtë e mi; më ke bërë për ta një objekt të neveritshëm; jam mbyllur dhe nuk mund të dal.

[9] Syri im venitet nga dhembja; të kërkoj çdo ditë, o Zot, dhe i zgjat drejt teje duart e mia.

[10] A do të bësh vallë mrekulli për të vdekurit? A do të ringjallen të vdekurit për të të lëvduar? (Sela)

[11] A do të kremtohet mirësia jote në varr dhe besnikëria jote në vendin e shkatërrimit?

[12] A do të njihen mrekullitë e tua në terr dhe drejtësia jote mbi tokën e harresës?

[13] Por unë të këlthas ty, o Zot, dhe lutja ime të drejtohet në mëngjes.

[14] Pse më refuzon, o Zot, pse më fsheh fytyrën tënde?

[15] Kam qenë i pikëlluar dhe duke vdekur qysh në rini; kam vuajtur nga tmerret e tua dhe e kam humbur.

[16] Mbi mua ka kaluar zemërimi yt i zjarrtë; tmerret e tua më kanë asgjesuar,

[17] më kanë rrethuar si ujërat gjatë gjithë ditës dhe të gjitha së bashku më kanë mbytur.

[18] Ke larguar nga unë miqtë dhe të njohurit e mi; miku im më i ngushtë është errësira.

Psalmet — Chapters