Skip to content
Opens in a new window

[1] Unë e dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia.

[2] Duke qenë se e ka kthyer ndaj meje veshin e tij, unë do ta kërkoj në gjithë ditët e jetës sime.

[3] Vargonjtë e vdekjes më kishin rrethuar dhe ankthet e Sheolit më kishin pushtuar; fatkeqësia dhe dhembja më kishin vënë përfund.

[4] Atëherë i kërkova ndihmë Zotit: "O Zot, të lutem, më shpëto".

[5] Zoti është i dhemshur dhe i drejtë, Perëndia ynë është i mëshirshëm.

[6] Zoti mbron njerëzit e thjeshtë; unë isha katandisur në një gjendje të mjeruar, dhe ai më shpëtoi.

[7] Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde, sepse Zoti të mbushi me të mira.

[8] Po, sepse ti ke çliruar jetën time nga vdekja, sytë e mi dhe lotët dhe këmbët e mia nga rrëzimi.

[9] Unë do të eci në prani të Zotit në tokën e të gjallëve.

[10] Unë kam besuar dhe prandaj flas. Unë isha shumë i pikëlluar,

[11] dhe thoja gjatë përhumbjes sime: "Çdo njeri është gënjeshtar".

[12] Ç'do t'i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?

[13] Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.

[14] Do të plotësoj zotimet e mia ndaj Zotit në prani të të gjithë popullit të tij.

[15] Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.

[16] Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.

[17] Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit.

[18] Do t'i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij,

[19] në oborret e shtëpisë së Zotit, në mesin tënd, o Jeruzalem. Aleluja.

Psalmet — Chapters