[1] Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim.
[2] O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua.
[3] Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak.
[4] O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.
[5] Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.
[6] Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme.
[7] Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate.
[8] Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t'u mësojë rrugën mëkatarëve.
[9] Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t'u mësojë të përulurve rrugën e tij.
[10] Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij.
[11] Për hir të emrit tënd, o Zot, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe.
[12] Kush është njeriu që ka frikë nga Zoti? Ai do t'i tregojë rrugën që duhet të zgjedhë.
[13] Ai do të jetojë në bollëk dhe pasardhësit e tij do të trashëgojnë tokën.
[14] Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej tij, dhe ai u bën të njohur atyre besëlidhjen e tij.
[15] Sytë e mi drejtohen vazhdimisht te Zoti, sepse ai do të m'i nxjerrë këmbët nga rrjeta.
[16] Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, sepse jam vetëm dhe i dëshpëruar.
[17] Ankthet e zemrës sime janë shtuar; më çliro nga fatkeqësitë e mia.
[18] Shiko pikëllimin tim dhe ankthin tim, dhe fali të gjitha mëkatet e mia.
[19] Këqyr armiqtë e mi, sepse janë të shumtë dhe më urrejnë me një urrejtje plot dhunë.
[20] Ruaje jetën time dhe më çliro; bëj që të mos jem i pështjelluar, sepse unë po gjej strehë te ti.
[21] Pastërtia dhe ndershmëria më mbrofshin, sepse unë shpresoj te ti.
[22] O Perëndi, liroje Izraelin nga të gjitha mundimet e tij.