[1] Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
[2] Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?
[3] Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.
[4] Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,
[5] me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.
[6] Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.
[7] Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq.
[8] Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij.
[9] I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë.
[10] I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut.
[11] Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre.
[12] Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij.
[13] Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij.
[14] U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi.
[15] Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre.
[16] Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit,
[17] toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit.
[18] Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët.
[19] Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë,
[20] dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar.
[21] Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt,
[22] mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq.
[23] Prandaj ai foli t'i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t'i shkatërronte.
[24] Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij,
[25] por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit.
[26] Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t'i rrëzonte në shkretëtirë,
[27] dhe se do t'i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t'i shpërndante në të gjitha vendet.
[28] Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve.
[29] E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja.
[30] Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi.
[31] Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë.
[32] Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre,
[33] sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij.
[34] Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti;
[35] por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre;
[36] u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta;
[37] ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre,
[38] dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur.
[39] Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre.
[40] Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij.
[41] I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin.
[42] Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre.
[43] Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre.
[44] Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre,
[45] dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua.
[46] Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri.
[47] Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar.
[48] I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.