Skip to content
Opens in a new window

[1] O Perëndi, e kemi dëgjuar me veshët tona, etërit tanë na kanë treguar veprën që ti ke bërë në ditët e tyre në kohërat e lashta.

[2] Për t'i vendosur me dorën tënde ti ke shpronësuar kombet, ke çrrënjosur popuj për t'u bërë vend atyre. Në fakt nuk e pushtuan vendin me shpatën e tyre dhe nuk qe krahu i tyre që i shpëtoi, por ishte dora jote e djathtë, krahu yt dhe drita e fytyr

[3] ës sate, sepse të pëlqenin.

[4] Ti je mbreti im, o Perëndi, që vendos fitoret për Jakobin.

[5] Me anën tënde do të përmbysim armiqtë tanë; në emër tënd do të shkelim ata që ngrihen kundër nesh.

[6] Sepse nuk kam besim tek harku im dhe nuk do të jetë shpata ime ajo që do të më shpëtojë.

[7] Por je ti ai që na shpëton nga armiqtë tanë dhe që i mbulon me turp ata që na urrejnë.

[8] Ne do të lëvdojmë çdo ditë Perëndinë dhe do të kremtojmë emrin tënd përjetë. (Sela)

[9] Por ti na dëbove dhe na mbulove me turp, dhe nuk del më me ushtritë tona.

[10] Ti ke bërë të kthejmë kurrizin përpara armikut, dhe ata që na urrejnë na kanë grabitur.

[11] Ti na ke dhënë si dele për therje dhe na ke shpërndarë midis kombeve.

[12] Ti e ke shitur popullin tënd për asgjë dhe nuk ke nxjerrë asnjë fitim nga shitja e tij.

[13] Ti na bëre për turp me fqinjët tanë, u bëmë gazi dhe tallja e atyre që rrijnë rreth nesh.

[14] Ti na ke bërë të jemi gazi i kombëve; përsa na përket neve, popujt tundin kokën.

[15] Turpi im më rri gjithmonë përpara, dhe fytyra ime është e mbuluar nga turpi,

[16] për shkak të atij që më fyen dhe më poshtëron, për shkak të armikut dhe atij që kërkon hakmarrje.

[17] Të tëra këto na kanë rënë mbi kurriz, por ne nuk kemi harruar dhe nuk kemi tradhëtuar besëlidhjen tënde.

[18] Zemra jonë nuk është kthyer prapa dhe hapat tona nuk janë larguar nga rruga jote,

[19] por ti na ke copëtuar, duke na futur në vende çakejsh dhe duke na mbuluar me hijen e vdekjes.

[20] Po të kishim harruar emrin e Perëndisë tonë dhe po t'i kishim shtrirë duart tona drejt një perëndie të huaj,

[21] a nuk do ta kishte zbuluar Perëndia këtë gjë? Në fakt ai i njeh sekretet e zemrës.

[22] Po, për shkakun tënd ne vritemi çdo ditë dhe konsiderohemi si dele.

[23] Zgjohu! Pse fle, o Zot? Çohu, mos na kthe për gjithnjë.

[24] Pse e fsheh fytyrën tënde, dhe harron pikëllimin tonë dhe shtypjen tonë?

[25] Sepse shpirtërat tona janë ulur deri te pluhuri dhe trupi ynë i është ngjitur tokës.

[26] Çohu të na ndihmosh dhe na shpëto për hir të mirësisë sate.

Psalmet — Chapters