Skip to content
Opens in a new window

[1] O Perëndi, mos rri në heshtje! Mos mbyll gojën, mos rri i qetë, o Perëndi!

[2] Sepse, ja, armiqtë e tu po ziejnë dhe ata që të urrejnë ngrenë kokën.

[3] Thurrin gracka kundër popullit tënd dhe bëjnë komplote kundër atyre që ti mbron.

[4] Ata thonë: "Ejani t'i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më".

[5] Sepse kanë komplotuar së bashku me një mendje dhe kanë lidhur një besëlidhje kundër teje.

[6] Çadrat e Edomit dhe Ismaelitët, Moabi dhe Hagarenët,

[7] Gebali, Amoni dhe Amaleku, Filistia me banorët e Tiros;

[8] dhe Asiria është bashkuar me ta për të ndihmuar bijtë e Lotit. (Sela)

[9] Vepro me ta ashtu si bëre me Madianin, me Siseran dhe me Jabinin pranë përroit të Kishonit,

[10] të cilët u shkatërruan në Endor dhe u bënë si pleh për tokën.

[11] Bëj që krerët e tyre të jenë si Orebi dhe Zeebi, dhe tërë princat e tyre si Zebahu dhe Tsalmuna,

[12] sepse ata thanë: "Të shtiem në dorë kullotat e Perëndisë".

[13] O Perëndia im, bëji njëlloj si pluhuri i vorbullës, si kashta në mëshirë të erës.

[14] Ashtu si zjarri djeg pyllin dhe flaka gllabëron malet,

[15] kështu ndiqi me furtunën tënde dhe trëmbi me uraganin tënd.

[16] Mbulo fytyrat e tyre me turp, me qëllim që të kërkojnë emrin tënd, o Zot.

[17] U turpërofshin dhe u tmerrofshin përjetë, u ngatërrofshin dhe vdekshin;

[18] dhe ta dijnë se ti vetëm, që quhesh Zoti, je Shumë i Larti mbi gjithë dheun.

Psalmet — Chapters