Skip to content
Opens in a new window

[1] Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra.

[2] Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin.

[3] Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij.

[4] Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë.

[5] Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë.

[6] Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe.

[7] Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë.

[8] Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë.

[9] E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën.

[10] Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre,

[11] dhe thonë: "Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?".

[12] Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre.

[13] Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time.

[14] Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes.

[15] Sikur të kisha thënë: "Do të flas edhe unë kështu", ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu.

[16] Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m'u duk shumë e vështirë.

[17] Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre.

[18] Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim.

[19] Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri!

[20] Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë.

[21] Kur zemra ime acarohej dhe e ndjeja veten sikur më shponin nga brenda,

[22] unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë.

[23] Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë.

[24] Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.

[25] Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje.

[26] Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi.

[27] Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje.

[28] Por sa për mua, e mira është t'i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua.

Psalmet — Chapters