Skip to content
Opens in a new window

[1] I këndoni me gëzim Perëndisë, forcës sonë; lëshoni britma gëzimi për Perëndinë e Jakobit.

[2] Lartoni një këngë dhe i bini dajres, harpës melodioze bashkë me lirën.

[3] I bini borisë ditën e hënës së re, ditën e hënës së plotë, ditën e festës sonë.

[4] Sepse ky është një statut për Izraelin, një ligj i Perëndisë të Jakobit.

[5] Ai e caktoi si një dëshmi te Jozefi, kur doli kundër vendit të Egjiptit. Atëherë unë dëgjova një gjuhë që nuk e kuptoja;

[6] "O Izrael, unë e hoqa barrën nga shpatullat e tua; duart e tua e kanë lënë shportën.

[7] Kur ishe keq ti më klithe mua dhe unë të çlirova; t'u përgjigja i fshehur në bubullimë, të vura në provë në ujërat e Meribas. (Sela)

[8] Dëgjo, o populli im, dhe unë do të qortoj. O Izrael, sikur ti të më dëgjoje!

[9] Mos pastë në mesin tënd asnjë perëndi të huaj dhe mos adhuro asnjë perëndi të huaj.

[10] Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit; hap gojën tënde dhe unë do të ta mbush.

[11] Por populli im nuk e ka dëgjuar zërin tim dhe Izraeli nuk më është bindur.

[12] Prandaj i braktisa në ashpërsinë e zemrës së tyre, me qëllim që të ecnin sipas bindjeve të tyre.

[13] Ah, sikur populli im të më dëgjonte, sikur Izraeli të ecte në rrugët e mia!

[14] Do të poshtëroja menjëherë armiqtë e tij dhe do ta ktheja dorën time kundër kundërshtarëve të tij.

[15] Ata që urrejnë Zotin do t'i nënshtroheshin dhe fati i tyre do të caktohej përjetë.

[16] Dhe unë do ta ushqeja (Izraelin) me grurin më të mirë dhe do ta ngopja me mjaltin që pikon nga shkëmbi".

Psalmet — Chapters