[1] Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit.
[2] Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër
[3] dhe nuk kryejnë të keqen, por ecin në rrugët e tij.
[4] Ti na ke urdhëruar të respektojmë urdhërimet e tua me kujdes.
[5] Oh, rrugët e mia qofshin të qëndrueshme në respektimin e statuteve të tua.
[6] Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua.
[7] Do të të kremtoj me zemër të drejtë ndërsa mësoj dekretet e tua të drejta.
[8] Do të respektoj statutet e tua, mos më braktis plotësisht.
[9] Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde.
[10] Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua.
[11] E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.
[12] Ti je i bekuar, o Zot, më mëso statutet e tua.
[13] Me buzët e mia kam numëruar të gjitha dekretet e gojës sate.
[14] Gëzohem duke ndjekur porositë e tua, ashtu sikur të zotëroja tërë pasuritë.
[15] Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua dhe do të marrë në konsideratë shtigjet e tua.
[16] Do të kënaqem me statutet e tua dhe nuk do ta harroj fjalën tënde.
[17] Bëji të mirë shërbëtorit tënd, dhe unë do të jetoj dhe do të respektoj fjalën tënde.
[18] Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.
[19] Unë jam i huaji mbi dhe; mos m'i fshih urdhërimet e tua.
[20] Shpirti im tretet nga dëshira e dekreteve të tua në çdo kohë.
[21] Ti i qorton kryelartët, që janë të mallkuar, sepse largohen nga urdhërimet e tua.
[22] Hiq prej meje turpin dhe përbuzjen, sepse unë i kam respektuar porositë e tua.
[23] Edhe sikur princat të ulen dhe të flasin kundër teje, shërbëtori yt do të mendohet thellë mbi ligjet e tua.
[24] Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi.
[25] Unë bie përmbys në pluhur; më ringjall sipas fjalës sate.
[26] Të kam treguar rrugët e mia, dhe ti më je përgjigjur; më mëso statutet e tua.
[27] Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua, dhe unë do të mendohem thellë mbi mrekullitë e tua.
[28] Jeta ime tretet në dhimbje; më jep forcë sipas fjalës sate.
[29] Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd.
[30] Kam zgjedhur rrugën e besnikërisë; i kam vënë dekretet e tua para vetes.
[31] Jam i lidhur me porositë e tua; o Zot, mos lejo që unë të hutohem.
[32] Do të veproj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën.
[33] Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund.
[34] Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër.
[35] Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time.
[36] Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë.
[37] Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua.
[38] Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty.
[39] Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trëmbin, sepse dekretet e tua janë të mira.
[40] Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde.
[41] Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate.
[42] Kështu do të mund t'i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote.
[43] Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua.
[44] Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë.
[45] Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua.
[46] Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem.
[47] Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua.
[48] Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua.
[49] Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa.
[50] Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë.
[51] Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt.
[52] Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon.
[53] Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd.
[54] Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegëtimit tim.
[55] O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd.
[56] Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua.
[57] Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua.
[58] Të jam lutur shumë, me gjihë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate.
[59] Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhërave të tua.
[60] Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua.
[61] Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd.
[62] Në mes të natës ngrihem që të të kremtoj, për shkak të dekreteve të tua të drejta.
[63] Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua.
[64] O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua.
[65] Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate.
[66] Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua.
[67] Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde.
[68] Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua.
[69] Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër.
[70] Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd.
[71] Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua.
[72] Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.
[73] Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua.
[74] Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde.
[75] Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde.
[76] Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd.
[77] Ardhshin tek unë dhemshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime.
[78] U ngatërrofshin mëndjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua.
[79] Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhërat e tua.
[80] Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem.
[81] Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde.
[82] Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: "Kur do të më ngushëllosh?".
[83] Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua.
[84] Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t'u vish hakut atyre që më ndjekin?
[85] Mëndjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd.
[86] Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë.
[87] Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua.
[88] Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate.
[89] Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë.
[90] Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston.
[91] Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.
[92] Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim.
[93] Nuk do t'i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën.
[94] Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua.
[95] Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua.
[96] Pashë caqet e çdo gjëje të përsour, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak.
[97] Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.
[98] Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua.
[99] Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime.
[100] Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua.
[101] Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde.
[102] Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar.
[103] Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.
[104] Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarësinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti.
[105] Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.
[106] Unë jam betuar dhe do ta mbaj betimin që të respektoj dekretet e tua të drejta.
[107] Unë jam shumë i pikëlluar, gjallëromë, o Zot, sipas fjalës sate.
[108] O Zot, prano ofertat spontane të gojës sime dhe mësomë dekretet e tua.
[109] Ndonëse e kam gjithnjë shpirtin në pëllëmbë të dorës, nuk e harroj ligjin tënd.
[110] Të pabesët më kanë ngritur kurthe, por unë nuk jam larguar nga udhërimet e tua.
[111] Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime.
[112] Jam zotuar me gjithë zemër për t'i zbatuar në praktikë statutet e tua përjetë, deri në fund.
[113] Unë i urrej njerëzit që gënjejnë, por e dua ligjin tënd.
[114] Ti je streha ime dhe mburoja ime; unë shpresoj në fjalën tënde.
[115] Largohuni, o njerëz të këqij, sepse unë dua të respektoj urdhërimet e Perëndisë tim.
[116] Më ndihmo sipas fjalës sate, që unë të jetoj, dhe të mos lejoj të ketë hutim në shpresën time.
[117] Përforcomë dhe unë do të shpëtoj, dhe do t'i kem gjithnjë statutet e tua përpara syve të mi.
[118] Ti i hedh poshtë të gjithë ata që largohen nga statutet e tua, sepse mashtrimi i tyre është gënjeshtër.
[119] Ti zhduk si fundërrina tërë të pabesët e tokës; prandaj unë i dua porositë e tua.
[120] Mishi im dridhet i tëri nga frika jote, dhe unë kam frikë nga dekretet e tua.
[121] Unë kam bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë; mos më braktis në duart e shtypësve të mi.
[122] Jepi siguri dhe mbarësi shërbëtorit tënd, dhe mos lejo që mëndjemëdhenjtë të më shtypin.
[123] Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate.
[124] Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate dhe mësomë statutet e tua.
[125] Unë jam shërbëtori yt; më jep mendje, që të mund të njoh porositë e tua.
[126] Éshtë koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd.
[127] Për këtë arësye unë i dua urdhërimet e tua më tepër se ari; po, më tepër se ari i kulluar.
[128] Për këtë arësye i konsideroj të drejta urdhërimet e tua dhe urrej çdo shteg të gënjeshtrës.
[129] Porositë e tua janë të mrekullueshme, prandaj shpirti im i respekton.
[130] Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë.
[131] Unë hap gojën time dhe psherëtij, nga dëshira e madhe e porosive të tua.
[132] Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, ashtu si bën me ata që e duan emrin tënd.
[133] Stabilizoi hapat e mia sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë.
[134] Më çliro nga shtypja e njerëzve dhe unë do të respektoj urdhërimet e tua.
[135] Bëj që të shkëlqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd dhe më mëso statutet e tua.
[136] Rrëke lotësh zbresin nga sytë e mi, sepse nuk respektohet ligji yt.
[137] Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta.
[138] Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe.
[139] Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua.
[140] Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do.
[141] Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua.
[142] Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë.
[143] Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im.
[144] Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj.
[145] Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua.
[146] Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua.
[147] Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote.
[148] Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde.
[149] Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë.
[150] Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd.
[151] Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta.
[152] Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë.
[153] Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd.
[154] Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate.
[155] Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua.
[156] Dhemshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta.
[157] Persekutuesit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua.
[158] I pashë të pabesët dhe i urrej, sepse nuk respektojnë fjalën tënde.
[159] Ki parasysh sa i dua urdhërimet e tua! O Zot, gjallëromë sipas mirësisë sate.
[160] Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë.
[161] Princat më përndjekin pa arësye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote.
[162] Unë ndjej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe.
[163] Urrej dhe s'e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd.
[164] Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta.
[165] Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t'i rrëzojë.
[166] O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua.
[167] Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe.
[168] Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje.
[169] Le të arrijë deri te ti britma ime, o Zot; me jep mendja sipas fjalës sate.
[170] Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate.
[171] Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua.
[172] Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta.
[173] Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua.
[174] Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im.
[175] Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua.
[176] Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua.