[1] Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
[2] Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
[3] Po, tani shtëpia e Aaronit le të thotë: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
[4] Po, le të thonë tani ata që kanë frikë nga Zoti: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
[5] Në ankth kërkova Zotin, dhe Zoti m'u përgjigj dhe më çoi larg.
[6] Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu?
[7] Zoti është për mua nga ata që më ndihmojnë, dhe unë do t'i shikoj triumfues armiqtë e mi.
[8] Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t'i kesh besim njeriut.
[9] Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t'u kesh besim princave.
[10] Tërë kombet më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t'i zhduk ato.
[11] Më kishin rrethuar, po, më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t'i shkatërroj.
[12] Më kishin rrethuar si bleta, por u shuan si zjarr ferrishtash; në emër të Zotit unë do t'i shkatërroj.
[13] Ti më kishe shtyrë me dhunë për të më rrëzuar, por Zoti më ndihmoi.
[14] Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im.
[15] Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi.
[16] E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi.
[17] Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit.
[18] Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes.
[19] Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin.
[20] Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të.
[21] Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im.
[22] Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes.
[23] Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona.
[24] Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të.
[25] O Zot, na ndihmo tani; o Zot, bëj që tani të kemi mbarësi.
[26] I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
[27] Zoti është Perëndia dhe ka bërë që mbi ne të shkëlqejë drita e tij; lidheni viktimën e flijimit në brirët e altarit.
[28] Ti je Perëndia im, unë do të të kremtoj; ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj.
[29] Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.