Skip to content
Opens in a new window

[1] Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.

[2] Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.

[3] Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.

[4] Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.

[5] Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua.

[6] Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.

[7] Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate?

[8] Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty.

[9] Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit,

[10] edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë.

[11] Po të them: "Me siguri terri do të më fshehë", madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje:

[12] terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty.

[13] Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.

[14] Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.

[15] Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.

[16] Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.

[17] Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!

[18] Po të doja t'i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.

[19] Me siguri, ti do vrasësh të pabesin, o Perëndi; prandaj ju, njerëz gjakatarë largohuni nga unë.

[20] Ata flasin me pabesi kundër teje; armiqtë e tu përdorin më kot emrin tënd.

[21] A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o Zot, dhe a nuk i urrej ata që ngrihen kundër teje?

[22] Unë i urrej me një urrejtje të përsosur; ata janë bërë armiqtë e mi.

[23] Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia.

[24] dhe shiko në se ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme.

Psalmet — Chapters