Skip to content
Opens in a new window

[1] Éshtë bukur të kremtosh Zotin, dhe të këndosh lavdet në emrin tënd, o Shumë i Larti;

[2] të shpallësh në mëngjes mirësinë tënde dhe çdo natë besnikërinë tënde,

[3] me një harp me dhjetë tela, me lirën dhe me melodinë e qestes.

[4] Duke qenë se ti më ke gëzuar me atë që ke bërë, unë ngazëllohem për veprat e duarve të tua.

[5] Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot, sa të thella janë mendimet e tua!

[6] Njeriu pa mend nuk i njeh dhe budallai nuk kupton këtë:

[7] që të pabesët mbijnë si bari, dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi lulëzojnë për t'u shkatërruar përjetë.

[8] Por ti, o Zot, mbetesh i Shkëlqyeri përjetë.

[9] Sepse ja, armiqtë e tu, o Zot, sepse ja armiqtë e tu do të vdesin dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi do të shpërndahen.

[10] Por ti më ke dhënë forcë të barabartë me atë të buallit, ti me ke vajosur me vaj të freskët.

[11] Dhe sytë e mi kanë për të parë disfatën e armiqve të mi dhe veshët e mi kanë për të dëgjuar disfatën e njerëzve të këqij që ngrihen kundër meje.

[12] I drejti do të lulëzojë si palma, do të rritet si kedri i Libanit.

[13] Ata që janë mbjellë në shtëpinë e Zotit do të lulëzojnë në kopshtet e Perëndisë tonë.

[14] Do të japin fryte edhe në pleqëri, do të jenë të lulëzuar dhe të blertë,

[15] për të shpallur që Zoti është i drejtë; ai është Kështjella ime dhe nuk ka asnjë padrejtësi tek ai.

Psalmet — Chapters