Skip to content
Opens in a new window

[1] Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

[2] "Po, unë e di që është kështu, por si mund të jetë i drejtë njeriu përpara Perëndisë?

[3] Në rast se dikush dëshiron të diskutojë me të, nuk mund t'i përgjigjet veçse një herë mbi një mijë.

[4] Perëndia është i urtë nga zemra dhe i fuqishëm nga forca, kush, pra, u fortësua kundër tij dhe i shkoi mbarë?

[5] Ai vendos malet dhe ato nuk e dijnë që ai i përmbys në zemërimin e tij.

[6] Ai e tund dheun nga vendi i tij, dhe kollonat e tij dridhen.

[7] Urdhëron diellin, dhe ai nuk lind, dhe vulos yjet.

[8] I vetëm shpalos qiejt dhe ecën mbi valët e larta të detit.

[9] Ka bërë Arushën dhe Orionin, Plejadat dhe krahinat e jugut.

[10] Ai bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të hetohen, po, mrekulli të panumërta.

[11] Ja, më kalon afër dhe nuk e shoh, kalon tutje dhe nuk e kuptoj.

[12] Ja, ai kap gjahun dhe kush mund t'ia rimarrë? Kush mund t'i thotë: "Çfarë po bën?".

[13] Perëndia nuk e tërheq zemërimin e tij; poshtë tij përkulen ndihmësit e Rahabit.

[14] Si mund t'i përgjigjem, pra, dhe të zgjedh fjalët e mia për të diskutuar me të?

[15] Edhe sikur të kisha të drejtë, nuk do të kisha mundësi t'i përgjigjem, por do t'i kërkoja mëshirë gjyqtarit tim.

[16] Në rast se unë e thërres dhe ai më përgjigjet, nuk mund të besoj akoma se e ka dëgjuar zërin tim,

[17] ai, që më godet me furtunën, dhe i shumëzon plagët e mia pa shkak.

[18] Nuk më lë të marr frymë, përkundrazi më mbush me hidhërime.

[19] Edhe në qoftë se bëhet fjalë për forcën, ja, ai është i fuqishëm; por sa për gjykimin, kush do të më caktojë një ditë për t'u paraqitur?

[20] Edhe sikur të isha i drejtë, vetë të folurit tim do të më dënonte; edhe sikur të isha i ndershëm, ai do të provonte se jam i çoroditur.

[21] Jam i ndershëm, por nuk e çmoj fare veten time dhe e përçmoj jetën time.

[22] Éshtë e njëjta gjë, prandaj them: "Ai shkatërron njeriun e ndershëm dhe të keqin".

[23] Në qoftë se një fatkeqësi mbjell papritur vdekjen, ai qesh me vuajtjen e të pafajmëve.

[24] Toka u është dhënë në dorë të këqijve; ai u vesh sytë gjyqtarëve të saj; po të mos jetë ai, kush mund të ishte, pra?

[25] Tani ditët e mia kalojnë më shpejt se një vrapues, ikin pa parë asnjë të mirë.

[26] Ikin shpejt si anijet prej xunkthi, si shqiponja që sulet mbi gjahun e vet.

[27] Në qoftë se them: "Dua ta harroj vajtimin, ta lë pamjen time të trishtuar dhe të tregohem i gëzuar",

[28] më hyn frika për të gjitha dhembjet e mia; e di mirë që ti nuk do të më konsiderosh të pafajshëm.

[29] Në qoftë se jam i dënuar tanimë, pse të lodhem më kot?

[30] Edhe sikur të lahesha me borë dhe të pastroja duart e mia me sodë,

[31] ti do të më hidhje në baltën e një grope, edhe vetë rrobat e mia do të më kishin lemeri.

[32] Në të vërtetë ai nuk është një njeri si unë, të cilit mund t'i përgjigjemi dhe të dalim në gjyq bashkë.

[33] Nuk ka asnjë arbitër midis nesh, që të vërë dorën mbi ne të dy.

[34] Le të largojë nga unë shkopin e tij, tmerri i tij të mos më trembë.

[35] Atëherë do të mund të flas pa pasur frikë prej tij, sepse nuk jam kështu me veten time.

Jobi — Chapters