[1] Elihu vazhdoi edhe më, duke thënë:
[2] "Prit edhe pak dhe do të të tregoj që ka ende gjëra për të thënë nga ana e Perëndisë.
[3] Do ta sjell larg atë që di dhe do t'i jap hak atij që më ka krijuar.
[4] Sigurisht fjalët e mia nuk janë të rreme; para teje ke një njeri me njohuri të përsosur.
[5] Ja, Perëndia është i fuqishëm, por nuk përçmon njeri; është i fuqishëm në forcën e diturisë së tij.
[6] Ai nuk e lë të jetojë njeriun e keq dhe u siguron drejtësinë të shtypurve.
[7] Nuk i heq sytë nga të drejtët, por bën që të ulen për gjithnjë me mbretërit mbi fronin; kështu ata rrinë lart.
[8] Por në rast se janë të lidhur me zinxhira dhe të mbajtur me veriga pikëllimi,
[9] atëherë u tregon veprat e tyre dhe shkeljet e tyre, sepse u është rritur mendja.
[10] Kështu ai ua hap veshët për t'u ndrequr dhe i nxit të largohen nga e keqja.
[11] Në rast se ata e dëgjojnë dhe nënshtrohen, do t'i mbarojnë ditët e tyre në mirëqënie dhe vitet e tyre në gëzime;
[12] por, në rast se nuk e dëgjojnë, do të vdesin nga shpata, do të vdesin pa ardhur në vete.
[13] Por të pabesët nga zemra mbledhin zemërimin, nuk bërtasin për të kërkuar ndihmë,
[14] kështu ata vdesin ende të rinj, dhe jeta e tyre mbaron midis Sodomitëve.
[15] Perëndia çliron të pikëlluarit me anë të pikëllimit të tyre dhe u hap veshët me anë të fatkeqësisë.
[16] Ai dëshiron të të largojë edhe ty nga kafshimi i fatkeqësisë, që të të çojë në një vend të gjerë pa kufizim, me një tryezë të shtruar me ushqime të shijshme.
[17] Por ti je mbushur me mendimin e njeriut të keq, dhe gjykimi e drejtësia do të të kapin.
[18] Në rast se ekziston zemërimi, ki kujdes që ai të mos të të fshijë me një goditje të vetme, sepse një shumë e madhe parash nuk do të mund të largonte.
[19] Vallë a do t'i çmojë pasuritë e tua, kur ai ka ar dhe të gjitha burimet e fuqisë?
[20] Mos dëshiro natën, gjatë së cilës njerëzia çohet larg nga vendi i saj.
[21] Ki kujdes të mos anosh nga paudhësia, sepse ti ke preferuar këtë pikëllim.
[22] Ja, Perëndia ka shkëlqyer në fuqinë e tij; kush mund të na mësojë si ai?
[23] Vallë, kush mund t'i imponojë rrugën që duhet ndjekur dhe kush mund t'i thotë: "Ti ke bërë keq"?
[24] Kujtohu të lartësosh veprat e tij, që njerëzit i kanë kënduar;
[25] tërë njerëzit i admirojnë, vdekatari mund t'i soditë nga larg.
[26] Po, Perëndia është i madh, por ne nuk e njohim, dhe numri i viteve të tij është i panjohshëm.
[27] Ai tërheq atje lart pikat e ujit në formë avulli, i cili dëndësohet pastaj në shi,
[28] që retë zbrazin dhe lëshojnë mbi njeriun në sasi të madhe.
[29] Kush mund të kuptojë shtjellimin e reve, shungullimën që shpërthen në çadrën e tij?
[30] Ja, ai përhap rreth vetes dritën e tij dhe mbulon thellësitë e detit.
[31] Me anë të tyre dënon popujt dhe jep ushqime me shumicë.
[32] Mbulon duart me rrufetë dhe i urdhëron ato të godasin shenjën.
[33] Bubullima flet për të, edhe bagëtia e ndjen furtunën që po vjen.