[1] A mund ta nxjerrësh Leviathanin me grep ose të mbash të palëvizur gjuhën e tij me një litar?
[2] A mund t'i vësh një xunkth në flegrat e hundës ose t'i shposh nofullën me një çengel?
[3] A do të të lutet ai së tepërmi apo do të të drejtojë fjalë të ëmbla?
[4] A do të lidhë një besëlidhje me ty, që ti ta marrësh si shërbëtor për gjithnjë?
[5] A do të lozësh me të si me një zog apo do ta mbash lidhur për vajzat e tua?
[6] Miqtë e tu do të bëjnë me të takime të mrekullueshme apo do ta ndajnë vallë midis tregtarëve?
[7] A mund të mbulosh lëkurën e tij me shigjeta dhe kokën e tij me fuzhnja?
[8] Vëri duart mbi trupin e tij; do të të kujtohet luftimi dhe nuk ke për ta rifilluar.
[9] Ja, shpresa e atij që e sulmon është e rreme; mjafton ta shikosh dhe të zë tmerri.
[10] Askush nuk ka aq guxim sa ta provokojë. Kush, pra, është në gjendje të qëndrojë i fortë para meje?
[11] Kush më ka bërë një shërbim i pari që unë duhet ta shpërblej? Çdo gjë nën qiejt është imja.
[12] Nuk do t'i kaloj në heshtje gjymtyrët e tij, forcën e tij të madhe dhe bukurinë e armaturës së tij.
[13] Kush mund ta zhveshë nga parzmorja e tij dhe kush mund t'i afrohet me një fre të dyfishtë?
[14] Kush mund të hapë portat e gojës së tij, e rrethuar siç është nga tmerri i dhëmbëve të tij?
[15] Shumë të bukura janë rreshtat e mburojave të tij, të salduara fort si prej një vule.
[16] Ato janë aq afër njëra-tjetrës sa nuk kalon as ajri midis tyre.
[17] Janë të ngjitura njëra me tjetrën, të bashkuara fort midis tyre, dhe nuk mund të ndahen.
[18] Teshtimat e tij japin shkreptima drite dhe sytë e tij janë si qepallat e agimit.
[19] Nga goja e tij dalin flakë, dalin shkëndija zjarri.
[20] Nga flegrat e hundës së tij del tym, si nga një enë që vlon ose nga një kazan.
[21] Fryma e tij i vë zjarrin qymyrit dhe nga goja e tij del flakë.
[22] Forca qëndron te qafa e tij dhe para tij hedh valle tmerri.
[23] Pjesët e flashkëta të mishit të tij janë fort kompakte, janë mjaft të ngjeshura mbi të dhe nuk lëvizin.
[24] Zemra e tij është e fortë si një gur, e fortë si pjesa e poshtme e mokrës.
[25] Kur ngrihet, të fuqishmit kanë frikë, dhe nga tmerri mbeten të hutuar.
[26] Shpata që arrin nuk i bën asgjë, e njëjta gjë ndodh me ushtën, shigjetën dhe shtizën.
[27] E quan hekurin si kashtë dhe bronzin si dru të brejtur nga krimbi.
[28] Shigjeta nuk e bën të ikë; gurët e hobesë për të janë si kallamishte.
[29] Topuzi i duket sikur është kashtë, ai tallet me vringëllimën e ushtës.
[30] Poshtë ka maja të mprehta dhe lë gjurmë si të lesës mbi baltë.
[31] E bën të ziejë humnerën si ndonjë kazan dhe e bën detin si të ishte një enë me melhem.
[32] Lë pas vetes një vazhdë drite dhe humnera duket si e mbuluar nga thinjat.
[33] Mbi tokë nuk ka asgjë që t'i ngjajë, që të jetë bërë pa pasur fare frikë.
[34] Shiko në fytyrë tërë njerëzit mendjemëdhenj; ai është mbret mbi të gjitha bishat më madhështore".