Skip to content
Opens in a new window

[1] Atëherë Zofari nga Naamathi u përgjigj dhe tha:

[2] "Një mori e tillë fjalësh a do të mbetet pa përgjigje? A duhet të ketë të drejtë një njeri fjalëshumë?

[3] Llafet e tua a do t'ua mbyllin gojën njerëzve? Ti do të tallesh dhe asnjë mos të të bëjë me turp?

[4] Ti ke thënë: "Doktrina ime është e pastër dhe jam i pakritikueshëm para teje".

[5] Por po të donte Perëndia të fliste dhe të hapte gojën e tij kundër teje,

[6] për të treguar të fshehtat e diturisë, sepse dituria e vërtetë është e shumëtrajtshme, atëherë do të mësoje se Perëndia harron një pjesë të fajit tënd.

[7] A mundesh ti të hulumtosh thellësitë e Perëndisë? A mund të depërtosh në përsosmërinë e të Plotfuqishmit?

[8] Janë më të larta se qielli; çfarë mund të bësh? janë më të thella se Sheoli: çfarë mund të dish?

[9] Madhësia e tyre është më e gjatë se toka dhe më e gjerë se deti.

[10] Në rast se Perëndia kalon, burgos dhe nxjerr në gjyq, kush mund t'ia pengojë këtë veprim?

[11] Sepse ai i njeh njerëzit e rremë; e sheh padrejtësinë dhe e kqyr.

[12] Njeriu i pamend do të bëhet i urtë, kur kërriçi i gomares së egër të bëhet njeri.

[13] Në rast se e përgatit zemrën tënde dhe shtrin ndaj saj duart e tua,

[14] në rast se largon padrejtësinë që është në duart e tua dhe nuk lejon që çoroditja të zërë vend në çadrat e tua,

[15] atëherë do të mund të lartosh ballin tënd pa njollë, do të jesh i patundur dhe nuk do të kesh frikë,

[16] sepse do të harrosh hallet e tua, do t'i kujtosh si uji që ka rrjedhur;

[17] jeta jote do të jetë më e ndritur se mesdita, edhe errësira për ty do të ishte si mëngjesi.

[18] Do të jesh i sigurt sepse ka shpresë; do të shikosh rreth e qark dhe do të pushosh në siguri.

[19] Do të biesh të flesh dhe nuk do të ketë njeri që të të trembë dhe shumë persona do të kërkojnë favorin tënd.

[20] Por sytë e të pabesëve do të treten; çdo shpëtim do t'u pritet, dhe shpresa e tyre do të jetë grahma e fundit".

Jobi — Chapters