[1] Elihu vazhdoi të flasë dhe tha:
[2] "A të duket një gjë e drejtë kur thua: "Jam më i drejtë se Perëndia"?
[3] Në fakt ke thënë: "Ç'dobi ke? Çfarë dobie do të kisha nga mëkati im?".
[4] Do të të përgjigjem ty dhe miqve të tu bashkë me ty.
[5] Sodite qiellin dhe shiko me kujdes; shih retë, që ndodhen më lart se ti.
[6] Në qoftë se ti mëkaton, çfarë efekti ka mbi të? Në qoftë se ti i shumëzon prapësitë e tua çfarë dëmi i shkakton?
[7] Në rast se je i drejtë, çfarë i jep, ose çfarë merr ai nga dora jote?
[8] Ligësia jote mund të dëmtojë vetëm një njeri si ti, dhe drejtësia jote mundet t'i sjellë vetëm dobi birit të një njeriu.
[9] Ngrihet zëri për numrin e madh të shtypjeve, ngrihet zëri për të kërkuar ndihmë për shkak të dhunës së të fuqishmëve;
[10] por asnjeri nuk thotë: "Ku është Perëndia, krijuesi im, që natën të jep këngë gëzimi,
[11] që na mëson më tepër gjëra se sa kafshëve të fushave dhe na bën më të urtë se zogjtë e qiellit?"
[12] Kështu ngrihen zëra, por ai nuk përgjigjet për shkak të krenarisë së njerëzve të këqij.
[13] Me siguri Perëndia nuk ka për t'i dëgjuar ligjëratat boshe dhe i Plotfuqishmi nuk do t'jua vërë veshin.
[14] Edhe sikur ti të thuash se nuk e shikon atë, çështja jote qëndron para tij, dhe ti duhet të presësh.
[15] Por tani, duke qenë se në zemërimin e tij ai nuk dënon dhe nuk u jep shumë rëndësi shkeljeve,
[16] Jobi hap kot buzët dhe mbledh fjalë që nuk kanë arsye".