Skip to content
Opens in a new window

[1] "Jam neveritur nga jeta ime; do të shfryj lirisht vajtimin tim, duke folur në trishtimin e shpirtit tim!

[2] Do t'i them Perëndisë: "Mos më dëno! Bëmë të ditur pse grindesh me mua.

[3] A të duket mirë të shtypësh, të përçmosh veprën e duarve të tua dhe të tregohesh në favor të qëllimeve të njerëzve të këqij?

[4] A ke sy prej mishi, apo shikon edhe ti si shikon njeriu?

[5] A janë vallë ditët e tua si ditët e një të vdekshmi, vitet e tua si ditët e një njeriu,

[6] sepse ti duhet të hetosh lidhur me fajin tim dhe të kërkosh mëkatin tim,

[7] megjithëse e di që nuk jam fajtor dhe që nuk ka njeri që mund të më çlirojë nga dora jote?

[8] Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë por tani ti kërkon të më zhdukësh.

[9] Mbaj mend, të lutem, që më ke modeluar si argjila, dhe do të më bësh të kthehem në pluhur!

[10] A nuk më ke derdhur vallë si qumështi dhe më ke piksur si djathi?

[11] Ti më ke veshur me lëkurë dhe me mish, më ke thurur me kocka dhe me nerva.

[12] Më ke dhënë jetë dhe dashamirësi, dhe providenca jote është kujdesur për frymën time,

[13] por këto gjëra i fshihje në zemrën tënde; tani unë e di që ti mendoje një gjë të tillë.

[14] Në qoftë se mëkatoj, ti më ndjek me sy dhe nuk më lë të pandëshkuar për fajin tim.

[15] Në qoftë se jam i keq, mjerë unë! Edhe sikur të jem i drejtë, nuk do të guxoja të ngrija kokën, i ngopur siç jam nga poshtërsia dhe duke parë mjerimin tim.

[16] Në rast se ngre kryet, ti më ndjek si luani, duke kryer përsëri mrekulli kundër meje.

[17] Ti i përtërin dëshmitarët kundër meje, e shton zemërimin tënd kundër meje dhe trupa gjithnjë të reja më sulmojnë.

[18] Pse, pra, më nxore nga barku? Të kisha vdekur, pa më parë sy njeriu!

[19] Do të kisha qenë sikur të mos kisha ekzistuar kurrë, i mbartur nga barku në varr.

[20] A nuk janë vallë të pakta ditët e mia? Jepi fund, pra, lërmë të qetë që të mund ta mbledh pak veten;

[21] para se të shkoj për të mos u kthyer më, drejt vendit të errësirës dhe të hijes së vdekjes,

[22] të vendit të territ dhe të errësirës së madhe të hijes së vdekjes, ku ka vetëm pështjellim, ku madje edhe drita është si errësira".

Jobi — Chapters