Skip to content
Opens in a new window

[1] "Me siguri ka një minierë për argjendin dhe një vend ku bëhet rafinimi i arit.

[2] Hekuri nxirret nga toka dhe guri i shkrirë jep bakrin.

[3] Njeriu i jep fund territ dhe hulumton thellësitë më të mëdha në kërkim të gurëve të varrosur në terr dhe në hijen e vdekjes.

[4] Ai çel një pus larg vendbanimit, në vende të harruara nga këmbësorët; janë pezull dhe lëkunden larg njerëzve.

[5] Sa për tokën, prej asaj del buka, por nga poshtë është e trazuar nga zjarri.

[6] Gurët e saj janë banesa e safirëve dhe përmbajnë pluhur ari.

[7] Shpendi grabitqar nuk e njeh shtegun dhe as syri i skifterit nuk e ka parë kurrë.

[8] Bishat e egra nuk e kanë përshkruar dhe as luani nuk ka kaluar kurrë andej.

[9] Njeriu vë dorë mbi strallin dhe i rrëzon malet nga rrënjët.

[10] Hap galeri ndër shkëmbinj dhe syri i tij sheh gjithçka që është e çmuar.

[11] Zë rrjedhat ujore që të mos rrjedhin, dhe nxjerr në dritë gjërat e fshehura.

[12] Po ku mund ta gjesh diturinë, dhe ku është vendi i zgjuarsisë?

[13] Njeriu nuk ua di vlerën dhe ajo nuk gjendet mbi tokën e të gjallëve.

[14] Humnera thotë: "Nuk është tek unë"; deti thotë: "Nuk qëndron pranë meje".

[15] Nuk përftohet duke e shkëmbyer me ar të rafinuar as blihet duke peshuar argjend.

[16] Nuk shtihet në dorë me arin e Ofirit, me oniksin e çmuar ose me safirin.

[17] Ari dhe kristali nuk mund të barazohen me të dhe nuk këmbehet me enë ari të kulluar.

[18] Korali dhe kristali as që meritojnë të përmenden; vlera e diturisë është më e madhe se margaritarët.

[19] Topazi i Etiopisë nuk mund të barazohet dhe nuk mund të vlerësohet me ar të kulluar.

[20] Por atëherë nga rrjedh dituria dhe ku e ka selinë zgjuarsia?

[21] Ajo u fshihet syve të çdo të gjalli, është e mbuluar për zogjtë e qiellit.

[22] Abadoni dhe vdekja thonë: "Kemi dëgjuar të flitet për të me veshët tona".

[23] Vetëm Perëndia njeh rrugën e saj, vetëm ai e di ku ndodhet,

[24] sepse ai vë re skajet e tokës dhe sheh tërë ato që ndodhen nën qiejt.

[25] Kur caktoi peshën e erës dhe u caktoi ujërave një masë,

[26] kur bëri një ligj për shiun dhe një rrugë për vetëtimën e bubullimave,

[27] atëherë pa dhe e tregoi, e vendosi dhe madje e hetoi,

[28] dhe i tha njeriut: "Ja, të kesh frikë nga Zoti, kjo është dituri, dhe t'i largohesh së keqes është zgjuarsi"".

Jobi — Chapters