[1] Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
[2] "Pa dyshim ju jeni njerëz të urtë, dhe dituria do të marrë fund me ju.
[3] Edhe unë kam mendje si ju, dhe nuk bie më poshtë se ju; përveç kësaj, kush nuk i di gjërat si këto?
[4] Jam bërë gazi i miqve të mi; unë, të cilit Perëndia i përgjigjej kur i drejtohesha; të drejtin, të ndershmin, e kanë vënë në lojë.
[5] Një llambë, e përçmuar në mendimet e atyre që jetojnë në mes të të mirave, është përgatitur për ata të cilëve u merren këmbët.
[6] Çadrat e cubave përkundrazi janë të qeta dhe e ndjejnë veten të sigurt ata që provokojnë Perëndinë dhe që e hyjnizojnë forcën e tyre.
[7] Por pyeti tani kafshët dhe do të të mësojnë, zogjtë e qiellit dhe do të ta thonë,
[8] ose foli tokës, dhe ajo do të të mësojë, dhe peshqit e detit do të ta tregojnë.
[9] Midis tërë këtyre krijesave, cila nuk e di që dora e Zotit i ka bërë këto?
[10] Ai ka në dorë të tij jetën e çdo gjallese dhe frymën e çdo qenieje njerëzore.
[11] Veshi a nuk i shqyrton vallë fjalët, ashtu si i shijon qiellza ushqimet?
[12] Ndër pleqtë gjejmë diturinë, dhe gjatësia e ditëve u jep edhe gjykimin.
[13] Por tek ai gjejmë diturinë dhe forcën, atij i përkasin mendja dhe gjykimi.
[14] Në rast se ai shkatërron, askush nuk mund të rindërtojë; në rast se fut në burg dikë, askush nuk mund t'ia hapë.
[15] Në rast se i ndal ujërat, çdo gjë thahet; po t'i lërë të lira, përmbytin tokën.
[16] Ai zotëron forcën dhe diturinë; prej tij varen ai që mashtrohet dhe ai që mashtron.
[17] Ai i bën këshilltarët të ecin zbathur, i bën gjyqtarët të pamend.
[18] Këput verigat e imponuara nga mbretërit dhe lidh me zinxhirë ijet e tyre.
[19] I bën që të ecin zbathur priftërinjtë dhe përmbys të fuqishmit.
[20] I lë pa gojë ata tek të cilët ka besim dhe i lë pa mend pleqtë.
[21] Zbraz përçmimin mbi fisnikët dhe ua liron brezin të fortëve.
[22] Zbulon gjërat e thella të fshehura në terr dhe sjell në dritë hijen e vdekjes.
[23] I bën të mëdha kombet dhe pastaj i shkatërron, i zgjeron kombet dhe pastaj i mërgon.
[24] U heq arsyen sundimtarëve të tokës dhe i bën të enden në vende të shkreta pa rrugë.
[25] Ecin verbërisht në terr pa dritë dhe i bën të ecin si të dehur".