Skip to content
Opens in a new window

[1] Jobi e rifilloi ligjëratën e tij dhe tha:

[2] "Ah, sikur të isha si në muajt e së kaluarës, si në ditët kur Perëndia më mbronte,

[3] kur llamba e tij shkëlqente mbi kokën time dhe me dritën e saj ecja në mes të errësirës;

[4] siç isha në ditët e pjekurisë sime, kur mendja e fshehtë e Perëndisë kujdesej për çadrën time,

[5] kur i Plotfuqishmi ishte akoma me mua dhe bijtë e mi më rrinin përqark;

[6] kur laja këmbët e mia në gjalpë dhe shkëmbi derdhte për mua rrëke vaji.

[7] Kur dilja ne drejtim të portës së qytetit dhe ngrija fronin tim në shesh,

[8] të rinjtë, duke më parë, hiqeshin mënjanë, pleqtë ngriheshin dhe qëndronin më këmbë;

[9] princat ndërprisnin bisedat dhe vinin dorën mbi gojë;

[10] zëri i krerëve bëhej më i dobët dhe gjuha e tyre ngjitej te qiellza.

[11] veshi që më dëgjonte, më shpallte të lumtur, dhe syri që më shihte, dëshmonte për mua,

[12] sepse çliroja të varfrin që klithte për ndihmë, dhe jetimin që nuk kishte njeri që ta ndihmonte.

[13] Bekimi i atij që ishte duke vdekur zbriste mbi mua dhe unë e gëzoja zemrën e gruas së ve.

[14] Isha i veshur me drejtësi dhe ajo më mbulonte; drejtësia ime më shërbente si mantel dhe si çallmë.

[15] Isha sy për të verbërin dhe këmbë për çalamanin;

[16] isha një baba për të varfrit dhe hetoja rastin që nuk njihja.

[17] I thyeja nofullat njeriut të keq dhe rrëmbeja gjahun nga dhëmbët e tij.

[18] Dhe mendoja: "Kam për të vdekur në folenë time dhe do të shumëzoj ditët e mia si rëra;

[19] rrënjët e mia do të zgjaten në drejtim të ujërave, vesa do të qëndrojë tërë natën në degën time;

[20] lavdia ime do të jetë gjithnjë e re tek unë dhe harku im do të fitojë forcë të re në dorën time".

[21] Të pranishmit më dëgjonin duke pritur dhe heshtnin për të dëgjuar këshillën time.

[22] Mbas fjalës sime ata nuk përgjigjeshin, dhe fjalët e mia binin mbi ta si pika vese.

[23] Më prisnin ashtu si pritet shiu dhe hapnin gojën e tyre si për shiun e fundit.

[24] Unë u buzëqeshja kur kishin humbur besimin, dhe nuk mund ta pakësonin dritën e fytyrës sime.

[25] Kur shkoja tek ata, ulesha si kryetar dhe rrija si një mbret midis trupave të tij, si një që ngushëllon të dëshpëruarit.

Jobi — Chapters