Skip to content
Opens in a new window

[1] Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

[2] "Ah, sikur dhembja ime të ishte peshuar tërësisht, dhe fatkeqësia ime të vihej bashkë mbi peshoren,

[3] do të ishte me siguri më e rëndë se rëra e detit! Për këtë arsye fjalët e mia nuk u përfillën.

[4] Duke qenë se shigjetat e të Plotfuqishmit janë brenda meje, shpirti im ua pi vrerin; tmerrete Perëndisë janë renditur kundër meje.

[5] Gomari i egër a pëllet vallë përpara barit, ose kau a buluron para forazhit të tij?

[6] A hahet vallë një ushqim i amësht pa kripë, apo ka ndonjë farë shije në të bardhën e vezës?

[7] Shpirti im nuk pranon të prekë gjëra të tilla, ato për mua janë si një ushqim i neveritshëm.

[8] Ah sikur të mund të kisha atë që kërkoj, dhe Perëndia të më jepte atë që shpresoj!

[9] Dashtë Perëndia të më shtypë, të shtrijë dorën e tij dhe të më shkatërrojë!

[10] Kam megjithatë këtë ngushëllim dhe ngazëllehem në dhembjet që nuk po më kursehen, sepse nuk i kam fshehur fjalët e të Shenjtit.

[11] Cila është forca ime që ende të mund të shpresoj, dhe cili është fundi im që të mund ta zgjas jetën time?

[12] Forca ime a është vallë ajo e gurëve, ose mishi im është prej bronzi?

[13] A s'jam fare pa ndihmë në veten time, dhe a nuk është larguar nga unë dituria?

[14] Për atë që është i pikëlluar, miku duhet të tregojë dhembshuri, edhe në qoftë se ai braktis frikën e të Plotfuqishmit.

[15] Por vëllezërit e mi më kanë zhgënjyer si një përrua, si ujërat e përrenjve që zhduken.

[16] Ato turbullohen për shkak të akullit dhe në to fshihet bora,

[17] por gjatë stinës së nxehtë ato zhduken; me vapën e verës ato nuk duken më në vendin e tyre.

[18] Ato gjarpërojnë në shtigjet e shtretërve të tyre; futen në shketëtirë dhe mbarojnë.

[19] Karvanet e Temas i kërkojnë me kujdes, udhëtarët e Shebës kanë shpresa tek ata,

[20] por ata mbeten të zhgënjyer megjithë shpresat e tyre; kur arrijnë aty mbeten të hutuar.

[21] Tani për mua ju jeni e njëjta gjë, shikoni tronditjen time të thellë dhe keni frikë.

[22] A ju kam thënë vallë: "Më jepni diçka" o "më bëni një dhuratë nga pasuria juaj",

[23] ose "liromëni nga duart e armikut", ose "më shpengoni nga duart e personave që përdorin dhunën"?

[24] Më udhëzoni, dhe do të hesht; më bëni të kuptoj ku kam gabuar.

[25] Sa të frytshme janë fjalët e drejta! Por çfarë provojnë argumentet tuaja?

[26] Mos keni ndërmend vallë të qortoni ashpër fjalët e mia dhe fjalimet e një të dëshpëruari, që janë si era?

[27] Ju do të hidhnit në short edhe një jetim dhe do të hapnit një gropë për mikun tuaj.

[28] Por tani pranoni të më shikoni, sepse nuk do të gënjej para jush.

[29] Ndërroni mendim, ju lutem, që të mos bëhet padrejtësi! Po, ndërroni mendim, sepse bëhet fjalë për drejtësinë time.

[30] A ka vallë paudhësi në gjuhën time apo qiellza ime nuk i dallon më ligësitë?".

Jobi — Chapters