[1] Prandaj zemra ime dridhet dhe brof jashtë vendit të saj.
[2] Dëgjoni me vëmendje shungullimën e zërit të saj, gjëmimin që del nga goja e saj!
[3] Ai lëshon vetëtimën e tij nën gjithë qiellin dhe deri në skajet e tokës.
[4] Prapa tij një zë vrumbullon; ai gjëmon me zërin e tij madhështor; ai nuk i përmban kur dëgjohet zëri i tij.
[5] Perëndia gjëmon në mënyrë të mrekullueshme me zërin e tij dhe bën gjëra të mëdha që nuk mund t'i kuptojmë.
[6] I thotë në fakt borës: "Bjerë mbi tokë", ia thotë si shirave të lehta ashtu dhe shirave të rrebeshta.
[7] Ai ndal dorën e çdo njeriu, me qëllim që të gjithë vdekatarët të mund të njohin veprat e tij.
[8] Bishat hyjnë në strukat e tyre dhe rrinë në strofkat e tyre.
[9] Nga vendet më të largëta të jugut vjen stuhia dhe të ftohtit nga erërat e acarta të veriut.
[10] Me frymën e Perëndisë formohet akulli dhe shtrirja e ujërave tërhiqet.
[11] I ngarkon retë e dendura me lagështirë dhe i shpërndan larg retë e tij dritëplota.
[12] Ato enden në qiell kudo, duke ndryshuar drejtimin në bazë të drejtimit të tij, për të kryer çfarëdo gjë që ai urdhëron mbi faqen e tokës së banuar.
[13] I dërgon o për dënim, o për tokën e tij o për mirësi.
[14] Dëgjo këtë, o Job, ndalu dhe merr parasysh mrekullitë e Perëndisë!
[15] A e di ti si i drejton Perëndia dhe si bën të shkëlqejë shkrepëtima e reve të tij?
[16] A e di ti si rrinë pezull retë në ajër, mrekullitë e atij që i di të gjitha?
[17] A e di ti përse rrobat e tua janë të ngrohta, kur toka pushon për shkak të erës së jugut?
[18] Vallë a e ke shtrirë ti bashkë me të kupën qiellore, duke e bërë të fortë si një pasqyrë prej metali të shkrirë?
[19] Na mëso se çfarë duhet t'i themi, sepse ne nuk mund të përgatisim shkakun tonë për errësirën.
[20] A mund t'i thuhet vallë se unë dua të flas? Në rast se një njeri duhet të fliste, do të shkatërrohej me siguri.
[21] Edhe tani askush nuk mund ta shikojë diellin me ngulm kur shkëlqen në qiell, mbas kalimit të erës që e ka bërë pa re.
[22] Koha e bukur vjen nga veriu, por rreth Perëndisë kemi një madhështi të hatashme.
[23] Të Plotfuqishmin ne nuk mund ta arrijmë. Ai është i madhërishëm për nga fuqia, nga ndershmëria dhe nga drejtësia; ai nuk shtyp asnjeri.
[24] Prandaj njerëzit e kanë frikë; por ai nuk e përfill atë që e quan veten të ditur".