[1] "Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime.
[2] Mbin si një lule, pastaj pritet; ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë.
[3] Mbi një qenie të tillë ti i mban sytë të hapur, dhe më bën që të dal në gjyq bashkë me ty.
[4] Kush mund të nxjerrë një gjë të pastër nga një gjë e papastër? Askush.
[5] Sepse ditët e saj janë të caktuara, numri i muajve të saj varet nga ti, dhe ti i ke vendosur kufij që nuk mund t'i kapërcejë.
[6] Hiqe shikimin nga ai dhe lëre të qetë, deri sa të mbarojë ditën e tij si një argat.
[7] Të paktën për drurin ka shpresë; në rast se pritet, rritet përsëri dhe vazhdon të mugullojë.
[8] Edhe sikur rrënjët e tij të plaken nën tokë dhe trungu i tij të vdesë nën dhe,
[9] me të ndjerë ujin, mugullon përsëri dhe lëshon degë si një bimë.
[10] Njeriu përkundrazi vdes dhe mbetet i shtrirë për dhe; kur është duke nxjerrë frymën e fundit, ku është, pra?
[11] Mund të mungojnë ujërat në det dhe një lumë të meket dhe të thahet,
[12] por njeriu që dergjet nuk ngrihet më; sa të mos ketë më qiej, nuk do të zgjohet dhe nuk do të çohet më nga gjumi i tij.
[13] Ah sikur të doje të më fshihje në Sheol, të më mbaje të fshehur sa të kalonte zemërimi yt, të më caktoje një afat dhe të më kujtoje!
[14] Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? Do të prisja çdo ditë të shërbimit tim të rëndë, deri sa të arrinte ora e ndryshimit tim.
[15] Do të më thërrisje dhe unë do të të përgjigjesha; ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua.
[16] Atëherë ti do të më numëroje hapat, por nuk do të vije re mëkatet e mia;
[17] do ta vulosje në një thes mëkatin tim dhe do ta mbuloje fajin tim.
[18] Por ashtu si një mal rrëzohet dhe thërrmohet, ashtu si një shkëmb luan nga vendi i tij,
[19] ashtu si ujërat gërryejnë gurët dhe vërshimet marrin me vete dheun, kështu ti shkatërron shpresën e njeriut.
[20] Ti e vë përfund për gjithnjë, dhe ai shkon; ti ia prish fytyrën dhe e dëbon.
[21] Në rast se bijtë e tij janë të nderuar, ai nuk e di; po të jenë të përbuzur, ai nuk e vë re.
[22] Ai ndjen vetëm dhembjen e madhe të mishit të tij dhe pikëllohet për veten e tij.