[1] Atëherë Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën e lindjes së tij.
[2] Kështu Jobi mori fjalën dhe tha:
[3] "Humbtë dita në të cilën linda dhe nata që tha: "U ngjiz një mashkull!".
[4] Ajo ditë u bëftë terr, mos u kujdesoftë për të Perëndia nga lart, dhe mos shkëlqeftë mbi të drita!
[5] E marrshin përsëri terri dhe hija e vdekjes, qëndroftë mbi të një re, furtuna e ditës e tmerroftë!
[6] Atë natë e marrtë terri, mos hyftë në ditët e vitit, mos hyftë në llogaritjen e muajve!
[7] Po, ajo natë qoftë natë shterpe, mos depërtoftë në të asnjë britmë gëzimi.
[8] E mallkofshin ata që mallkojnë ditën, ata që janë gati të zgjojnë Leviathanin.
[9] U errësofshin yjet e muzgut të tij, le të presë dritën; por mos e pastë fare dhe mos paftë ditën që agon,
[10] sepse nuk e mbylli portën e barkut të nënës sime dhe nuk ua fshehu dhembjen syve të mi.
[11] Pse nuk vdiqa në barkun e nënës sime? Pse nuk vdiqa sapo dola nga barku i saj?
[12] Pse vallë më kanë pritur gjunjët, dhe sisët për të pirë?
[13] Po, tani do të dergjesha i qetë, do të flija dhe do të pushoja,
[14] bashkë me mbretërit dhe me këshilltarët e dheut, që kanë ndërtuar për vete rrënoja të shkretuara,
[15] ose bashkë me princat që kishin ar ose që mbushën me argjend pallatet e tyre.
[16] Ose pse nuk qeshë si një dështim i fshehur, si fëmijët që nuk e kanë parë kurrë dritën?
[17] Atje poshtë të këqinjtë nuk brengosen më, atje poshtë çlodhen të lodhurit.
[18] Atje poshtë të burgosurit janë të qetë bashkë, dhe nuk e dëgjojnë më zërin e xhelatit.
[19] Atje poshtë ka të vegjël dhe të mëdhenj, dhe skllavi është i lirë nga pronari i tij.
[20] Pse t'i japësh dritë fatkeqit dhe jetën atij që ka shpirtin në hidhërim,
[21] të cilët presin vdekjen që nuk vjen, dhe e kërkojnë më tepër se thesaret e fshehura;
[22] gëzohen shumë dhe ngazëllojnë kur gjejnë varrin?
[23] Pse të lindë një njeri rruga e të cilit është fshehur, dhe që Perëndia e ka rrethuar nga çdo anë?
[24] Në vend që të ushqehem, unë psherëtij, dhe rënkimet e mia burojnë si uji.
[25] Sepse ajo që më tremb më shumë më bie mbi krye, dhe ajo që më tmerron më ndodh.
[26] Nuk kam qetësi, nuk kam prehje, por më pushton shqetësimi".