[1] Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha:
[2] "Deri kur do të flasësh në këtë mënyrë, dhe fjalët e gojës sate do të jenë si një erë e furishme?
[3] A mundet Perëndia të shtrëmbërojë gjykimin dhe i Potfuqishmi të përmbysë drejtësinë?
[4] Në rast se bijtë e tu kanë mëkatuar kundër tij, ai i ka braktisur në prapësinë e tyre.
[5] Por në rast se ti e kërkon Perëndinë dhe i lutesh fort të Plotfuqishmit,
[6] në rast se je i pastër dhe i ndershëm, me siguri ai do të ngrihet në favorin tënd dhe do të rivendosë selinë e drejtësisë sate.
[7] Ndonëse gjendja jote e kaluar ka qenë një gjë e vogël,
[8] e ardhmja jote do të jetë e madhe. Pyet, pra, brezat që shkuan dhe shqyrto gjërat e zbuluara nga etërit e tyre;
[9] ne në të vërtetë i përkasim së djeshmes dhe nuk dimë asgjë, sepse ditët tona mbi tokë janë si një hije.
[10] A nuk do të mësojnë vallë ata dhe nuk do të flasin, duke nxjerrë fjalë nga zemra e tyre?
[11] A mund të rritet papirusi jashtë moçalit dhe a mund të zhvillohet xunkthi pa ujë?
[12] Ndërsa është ende i gjelbër, pa qenë prerë, ai thahet para çdo bari tjetër.
[13] Këto janë rrugët e të gjithë atyre që harrojnë Perëndinë; kështu shpresa e të paudhit tretet.
[14] Besimi i tij do të pritet dhe sigurimi i tij është si një pëlhurë merimange.
[15] Ai mbështetet te shtëpia e tij, ajo nuk qëndron; kapet te ajo, por ajo nuk mban.
[16] Ai është krejt i gjelbër në diell dhe degët e tij zgjaten mbi kopshtin e tij;
[17] dhe rrënjët e tij pleksen rreth një grumbulli gurësh dhe depërtojnë midis gurëve të shtëpisë.
[18] Por në rast se shkëputet nga vendi i tij, ky e mohon, duke thënë: "Nuk të kam parë kurrë!".
[19] Ja, ky është gëzimi i mënyrës së tij të të jetuarit, ndërsa të tjerët do të dalin nga pluhuri.
[20] Ja, Perëndia nuk e flak njeriun e ndershëm, as i ndihmon keqbërësit.
[21] Ai do t'i japë edhe më buzëqeshje gojës sate dhe këngë gëzimi buzëve të tua.
[22] Ata që të urrejnë do të mbulohen me turp dhe çadra e të paudhëve do të zhduket".