[1] Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
[2] "Gjëra të tilla kam dëgjuar shumë! Të gjithë ju jeni ngushëllues të mërzitshëm!
[3] Kur do të marrin fund fjalimet tuaja boshe? Ose çfarë të shtyn të përgjigjesh?
[4] Edhe unë mund të flisja si ju, po të ishit ju në vendin tim; do të mund të radhitja fjalë kundër jush duke tundur kokën time kundër jush.
[5] Por do t'ju jepja kurajo me gojën time dhe ngushëllimi i buzëve të mia do ta lehtësonte dhembjen tuaj.
[6] Në rast se flas, dhembja ime nuk pakësohet, në qoftë se nuk flas më, çfarë lehtësimi kam?
[7] Por tani ai më ka çuar në pikën e fundit të forcave të mia. Ti ke shkatërruar tërë familjen time;
[8] më ke mbuluar me rrudha dhe kjo dëshmon kundër meje, dobësia ime ngrihet dhe dëshmon kundër meje.
[9] Zemërimi i tij më grin dhe më përndjek, kërcëllin dhëmbët kundër meje; Armiku im mpreh shikimin mbi mua.
[10] Duke hapur gojën e tyre kundër meje, ata më godasin me përçmim mbi faqet, mblidhen tok kundër meje.
[11] Perëndia më ka dhënë në duart e të pabesëve, më ka dorëzuar në duart e njerëzve të këqij.
[12] Jetoja i qetë, por ai më shkatërroi, më kapi për qafe dhe më bëri copë-copë, dhe më shndërroi në objekt goditjeje.
[13] Harkëtarët e tij më rrethojnë në çdo anë, më shpon pa mëshirë veshkat, derdh për tokë vrerin tim.
[14] Ai më sulmon vazhdimisht me forcë, më sulet si një luftëtar.
[15] kam qepur një grathore mbi lëkurën time, e kam ulur ballin tim në pluhur,
[16] Fytyra ime është e kuqe nga të qarat dhe mbi qepallat e mia po zë vend hija e vdekjes,
[17] megjithëse nuk ka asnjë dhunë në duart e mia, dhe lutja ime është e pastër.
[18] O tokë, mos e mbulo gjakun tim, dhe britma ime mos gjeftë asnjë vend qetësimi.
[19] Që tani, ja, dëshmitari im është në qiell, garanti im është lart.
[20] Shokët e mi më përqeshin, por sytë e mi derdhin lotë përpara Perëndisë.
[21] Le të përkrahë ai arsyetimet e njeriut pranë Perëndisë, ashtu si bën njeriu me fqinjin e tij.
[22] Do të kalojnë në të vërtetë edhe pak vjet akoma dhe unë do të shkoj pastaj në një rrugë pa kthim.