[1] Jobi e mori fjalën përsëri dhe tha:
[2] "Ashtu si rron Perëndia që më ka hequr të drejtën time dhe i Plotfuqishmi që më ka hidhëruar shpirtin,
[3] deri sa të ketë një frymë jete tek unë dhe të jetë fryma e Perëndisë në flegrat e hundës sime,
[4] buzët e mia nuk do të thonë asnjë ligësi, as gjuha ime nuk ka për të shqiptuar asnjë gjë të rreme.
[5] Nuk do të pranoj që ju keni të drejtë; deri në regëtimat e fundit nuk do të heq dorë nga ndershmëria ime.
[6] Do të qëndroj i patundur në drejtësinë time, pa bërë lëshime; zemra nuk më qorton asnjë nga ditët e mia.
[7] Armiku im qoftë si njeriu i keq, dhe ai që ngrihet kundër meje ashtu si njeriu i padrejtë.
[8] Çfarë shprese mund të ketë në fakt i pabesi, edhe sikur të arrijë të sigurojë fitime, kur Perëndia i heq jetën?
[9] A do ta dëgjojë Perëndia britmën e tij, kur mbi të do të bjerë fatkeqësia?
[10] A do t'i vërë kënaqësitë e tij vallë tek i Plotfuqishmi dhe do të kërkojë ndihmën e Perëndisë në çdo kohë?
[11] Do t'ju jap mësime mbi fuqinë e Perëndisë, nuk do t'ju fsheh qëllimet e të Plotfuqishmit.
[12] Por ju të gjithë i keni vënë re këto gjëra, pse, pra, silleni në mënyrë kaq të kotë?
[13] Ky është fati që Perëndia i rezervon njeriut të keq, trashëgimia që njerëzit që përdorin dhunën marrin nga i Plotfuqishmi.
[14] Në rast se ka një numër të madh bijsh, këta i destinohen shpatës, dhe trashëgimtarët e tij nuk do të kenë bukë për t'u ngopur.
[15] Ata që do të mbijetojnë pas tij do të varrosen nga vdekja dhe të vejat e tyre nuk do të qajnë.
[16] Në rast se grumbullon argjend si pluhur dhe mbledh rrobe si baltë,
[17] ai i grumbullon, por do t'i veshë i drejti, dhe argjendin do ta ndajë i pafajmi.
[18] Ai ndërton shtëpinë e tij si një mole, si një kasolle që e ka bërë një rojtar.
[19] I pasuri bie në shtrat, por nuk do të bashkohet me njerëzit e tij; hap sytë dhe nuk është më.
[20] Tmerri e kap në befasi si ujërat; në mes të natës një furtunë e rrëmben tinëzisht.
[21] Era e lindjes e merr me vete dhe ai ikën, e fshin nga vendi i tij si një vorbull.
[22] Ajo sulet kundër tij pa mëshirë, ndërsa ai kërkon në mënyrë të dëshpëruar të shpëtojë nga ajo dorë,
[23] njerëzia duartroket në mënyrë tallëse për të dhe fërshëllen kundër tij nga vendi ku ndodhet".