[1] Atëherë këta tre njerëz nuk iu përgjigjën më Jobit, sepse ai e ndjente veten të drejtë.
[2] Por zemërimi i Elihut, birit të Barakelit, Buzitit, nga fisi i Ramit, u ndez kundër Jobit; zemërimi i tij u ndez, sepse ai e quante veten e tij të drejtë më tepër se Perëndia.
[3] Zemërimi i tij u ndez edhe kundër tre miqve të tij, sepse nuk kishin gjetur përgjigjen e drejtë, megjithëse e dënonin Jobin.
[4] Elihu kishte pritur për t'i folur Jobit, sepse ata ishin më të moshuar se ai.
[5] Por kur Elihu u bind që në gojën e këtyre tre njerëzve nuk kishte më përgjigje, ai u zemërua.
[6] Kështu Elihu, bir i Barakelit, Buzitit, mori fjalën dhe tha: "Unë jam akoma i ri me moshë dhe ju jeni pleq; prandaj ngurrova dhe pata frikë t'ju parashtroj mendimin tim.
[7] Thoja: "Do të flasë mosha dhe numri i madh i viteve do t'u mësojë diturinë".
[8] Por te njeriu ka një frymë, dhe është fryma i të Plotfuqishmit që i jep zgjuarsinë.
[9] Nuk janë detyrimisht të mëdhenjtë që kanë diturinë ose pleqtë që kuptojnë drejtësinë.
[10] Prandaj them: Dëgjomëni, do të shtroj edhe unë mendimin tim.
[11] Ja, prita fjalimet tuaja, dëgjova argumentat tuaja, ndërsa kërkonit të thonit diçka.
[12] Ju kam ndjekur me vëmendje, dhe ja, asnjëri prej jush nuk e bindi Jobin ose nuk iu përgjigj fjalëve të tij.
[13] Mos thoni, pra: "Kemi gjetur diturinë; vetëm Perëndia mund ta mundë plotësisht, por jo njeriu!".
[14] Ai nuk i ka drejtuar fjalimet e tij kundër meje, prandaj nuk do t'i përgjigjem me fjalët tuaja.
[15] Janë hutuar, nuk përgjigjen më, nuk gjejnë fjalë.
[16] Duhet të pres akoma, sepse nuk flasin më, rrinë aty pa dhënë asnjë përgjigje.
[17] Do të paraqes edhe unë pjesën time, do të shtroj edhe unë mendimin tim.
[18] Sepse kam plot fjalë dhe fryma përbrenda më detyron.
[19] Ja, gjiri im është si vera që nuk ka një shfrim, si shakujt e rinj, gati për të plasur.
[20] Do të flas, pra, për të pasur një lehtësim të vogël, do të hap buzët dhe do të përgjigjem.
[21] Tani më lejoni të flas pa treguar anësi me asnjë dhe pa i bërë lajka kurrkujt;
[22] sepse unë nuk di të bëj lajka, përndryshe Krijuesi im do të më hiqte shpejt nga mesi".