Skip to content
Opens in a new window

[1] Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:

[2] "A do të të bezdiste ndokush në rast se do të provonte të të fliste? Por kush mund t'i ndalë fjalët?

[3] Ja ti ke mësuar shumë prej tyre dhe ua ke fortësuar duart e lodhura;

[4] fjalët e tua u kanë dhënë zemër të lëkundurve dhe kanë forcuar gjunjët që gjunjëzohen.

[5] Por tani që e keqja të zuri ty, nuk je në gjendje të veprosh; të ka goditur ty, dhe ti e ke humbur fare.

[6] Mëshira jote a nuk është vallë besimi yt, dhe ndershmëria e sjelljes sate, shpresa jote?

[7] Mbaje mend: cili i pafajmë është zhdukur vallë, dhe a janë shkatërruar vallë njerëzit e ndershëm?

[8] Ashtu siç e kam parë unë vetë, ata që lërojnë paudhësinë dhe mbjellin mjerimin, vjelin frytet e tyre.

[9] Me frymën e Perëndisë ata vdesin, era e zemërimit të tij i tret ata.

[10] Vrumbullima e luanit, zëri i luanit të egër dhe dhëmbët e luanëve të vegjël janë thyer.

[11] Luani vdes për mungesë gjahu dhe të vegjlit e luaneshës shpërndahen.

[12] Një fjalë më ka ardhur fshehurazi dhe veshi im ka zënë pëshpëritjen e saj.

[13] Midis mendimeve të vizioneve të natës, kur një gjumë i rëndë bie mbi njerëzit,

[14] më pushtoi një llahtari e madhe dhe një rrëqethje që bëri të dridhen gjithë kockat e mia.

[15] Një frymë më kaloi përpara, dhe m'u ngritën përpjetë qimet e trupit.

[16] Ai u ndal, por nuk munda ta dalloj pamjen e tij; një figurë më rrinte para syve; kishte heshtje, pastaj dëgjova një zë që thoshte:

[17] "A mund të jetë një i vdekshëm më i drejtë se Perëndia? A mund të jetë një njeri më i pastër se Krijuesi i tij?

[18] Ja, ai nuk u zë besë as shërbëtorëve të tij, dhe gjen madje të meta edhe tek engjëjt e tij;

[19] aq më tepër tek ata që banojnë në shtëpi prej argjile, themelet e të cilave janë në pluhur, dhe shtypen si një tenjë.

[20] Nga mëngjesi deri në mbrëmje shkatërrohen; zhduken për fare, dhe asnjeri nuk i vë re.

[21] Litarin e çadrës së tyre vallë a nuk ua këpusin? Ata vdesin, por pa dituri"".

Jobi — Chapters