[1] Elihu nisi përsëri të flasë dhe tha:
[2] "Dëgjoni, o njerëz të urtë, fjalët e mia, dhe ju, njerëz të ditur, ma vini veshin!
[3] Sepse veshi i shqyrton fjalët, ashtu si qiellza i shijon ushqimet.
[4] Le të zgjedhim ne vetë atë që është e drejtë të pranojmë midis nesh atë që është e mirë.
[5] Sepse Jobi ka thënë: "Jam i drejtë, por Perëndia më ka hequr drejtësinë time.
[6] A duhet të gënjej kundër drejtësisë sime? Plaga ime është e pashërueshme, megjithëse jam pa mëkat".
[7] Kush është si Jobi, që e pi përqeshjen si ujin,
[8] që ecën bashkë me keqbërësit dhe shkon bashkë me njerëzit e këqij?
[9] Sepse ka thënë: "Nuk i vlen fare njeriut të vendosë kënaqësinë e tij te Perëndia".
[10] Më dëgjoni, pra, o njerëz me mend! Qoftë larg Perëndisë paudhësia dhe ligësia qoftë larg të Plotfuqishmit!
[11] Sepse ai ia kthen njeriut sipas veprave të tij dhe secilin e bën të gjejë shpërblimin për sjelljen e tij.
[12] Sigurisht Perëndia nuk kryen të keqen dhe i Plotfuqishmi nuk shtrembëron drejtësinë.
[13] Kush i ka besuar kujdesin për tokën, ose kush e ka vendosur mbi tërë botën?
[14] Në qoftë se Perëndia duhet të vendoste në zemër të vet të tërhiqte mbi vete Frymën e tij dhe frymën e tij,
[15] çdo mish do të shkatërrohej njëkohësisht, dhe njeriu do të kthehej në pluhur.
[16] Në qoftë se ke mend, dëgjoje këtë, vër veshin për të dëgjuar atë që po të them.
[17] A mund të qeverisë ai që urren drejtësinë? A guxon ti të dënosh të Drejtin, të Fuqishmin?
[18] Ai që i thotë një mbreti: "Je për t'u përbuzur" dhe princave: "Jeni të këqij".
[19] Por ai nuk bën asnjë anësi me të mëdhenjtë dhe as e konsideron të pasurin më tepër se të varfrin, sepse të gjithë janë vepra e duarve të tij.
[20] Në një çast ata vdesin; në mesin e natës njerëzia tronditet dhe zhduket, të fuqishmit çohen tutje pa dorë njeriu.
[21] Sepse ai i mban sytë te rrugët e njeriut, dhe shikon tërë hapat e tij.
[22] Nuk ka terr as hije vdekjeje, ku mund të fshihen njerëzit e këqij.
[23] Në fakt Perëndia nuk ka nevojë ta kqyrë gjatë një njeri para se ta nxjerrë për gjykim para tij.
[24] Ai i ligështon të fuqishmit pa bërë hetim dhe vë të tjerë në vendin e tyre.
[25] Duke qenë se i njeh veprat e tyre, i rrëzon natën dhe ata shkatërrohen;
[26] i godet si njerëz të këqij para syve të të gjithëve,
[27] sepse janë larguar nga ai pa u kujdesur për rrugët e tij,
[28] deri sa të arrijë tek ai britma e të varfrit, sepse ai dëgjon britmën e të pikëlluarve.
[29] Kur Perëndia jep qetësinë, kush do ta dënojë? Kur fsheh fytyrën e tij, kush do të mund ta shikojë, qoftë kundër një kombi të tërë ose kundër një njeriu të vetëm,
[30] për të penguar që i pabesi të mbretërojë dhe që populli të zihet ndër leqe?
[31] Dikush mund t'i thotë Perëndisë: "Unë e mbart fajin tim, po nuk do ta bëj më të keqen;
[32] tregomë atë që nuk arrij të shikoj; në rast se kam kryer ndonjë paudhësi, nuk do ta bëj më"?
[33] A duhet të të shpërblejë ai në bazë të konditave të tua, sepse ti nuk pranon gjykimin e tij? Ti duhet të zgjedhësh dhe jo unë; prandaj thuaj atë që di.
[34] Njerëzit me mend; si çdo njeri i urtë që më dëgjon, do të më thonë:
[35] "Jobi flet pa mend, fjalët e tij nuk kanë dituri".
[36] Le të provohet Jobi deri në fund, sepse përgjigjet e tij janë si ato të njerëzve të këqij,
[37] sepse i shton mëkatit të tij revoltën, rreh duart mes nesh dhe i shumëzon fjalët e tij kundër Perëndisë".