Skip to content
Opens in a new window

[1] "A nuk kryen vallë një punë të rëndë njeriu mbi tokë dhe ditët e tij a nuk janë si ditët e një argati?

[2] Ashtu si skllavi dëshiron fort hijen dhe ashtu si argati pret mëditjen e tij,

[3] kështu edhe mua më ranë muaj fatkeqësie dhe m'u caktuan net me dhembje.

[4] Sa shtrihem, them: "Kur do të ngrihem?". Por nata është e gjatë dhe jam vazhdimisht i shqetësuar deri në agim.

[5] Mishi im është i mbuluar me krimba dhe me buca dheu, lëkura ime plasaritet dhe është bërë e pështirë.

[6] Ditët e mia janë më të shpejta se masuri i një endësi dhe po harxhohen pa shpresë.

[7] Kujto që jeta ime është një frymë; syri im nuk do të shohë më të mirën.

[8] Syri i atij që më shikon nuk do të më shohë më; sytë e tu do të jenë mbi mua, por unë nuk do të jem më.

[9] Ashtu si reja davaritet dhe nuk duket më, kështu ai që zbret në Sheol nuk kthehet më;

[10] nuk do të kthehet më në shtëpinë e tij, dhe banesa e tij nuk do ta njohë më.

[11] Prandaj nuk do ta mbaj gojën të mbyllur do të flas në ankthin e frymës time; do të ankohem në hidhërimin e shpirtit tim.

[12] A jam vallë deti apo një përbindësh i detit që ti më ruan me një roje?

[13] Kur unë them: "Shtrati im do të më japë një lehtësim, shtroja ime do ta zbusë dhembjen time",

[14] ti më tremb me ëndrra dhe më tmerron me vegime;

[15] kështu shpirtit tim i parapëlqen të mbytet dhe të vdesë se sa të bëjë këtë jetë.

[16] Unë po shpërbëhem; nuk kam për të jetuar gjithnjë; lërmë të qetë; ditët e mia nuk janë veçse një frymë.

[17] Ç'është njeriu që ti ta bësh të madh dhe të kujdesesh për të,

[18] dhe ta vizitosh çdo mëngjes duke e vënë në provë në çdo çast?

[19] Kur do ta heqësh shikimin tënd nga unë dhe do të më lësh të përcjell pështymën time?

[20] Në rast se kam mëkatuar, çfarë të kam bërë ty, o rojtar i njerëzve? Pse më ke bërë objekt të goditjeve të tua, aq sa i jam bërë barrë vetes sime?

[21] Pse nuk i fal shkeljet e mia dhe nuk e kapërcen paudhësinë time? Sepse shpejt do të jem pluhur; ti do të më kërkosh, por unë nuk do të jem më".

Jobi — Chapters