Skip to content
Opens in a new window

[1] Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

[2] "Edhe sot vajtimi im është i dhimbshëm; dora ime është e dobët për shkak të rënkimit tim.

[3] Ah, sikur të dija ku ta gjeja, që të mund të arrija deri në fronin e tij!

[4] Do ta parashtroja çështjen time para tij, do ta mbushja gojën time me argumente.

[5] Do të dija fjalët me të cilat do të më përgjigjej, dhe do të kuptoja atë që kishte për të më thënë.

[6] A do të më kundërshtonte me forcë të madhe? Jo, përkundrazi do të më kushtonte vëmendje.

[7] Atje njeriu i drejtë do të mund të diskutonte me të, kështu gjyqtari im do të më shpallte të pafajshëm përjetë.

[8] Ja, po shkoj në lindje, por aty nuk është; në perëndim, por nuk e shoh;

[9] vepron në veri, por nuk e shoh; kthehet nga jugu, por nuk arrij ta shikoj.

[10] Por ai e njeh rrugën që unë kam marrë; sikur të më provonte, do të dilja si ari.

[11] Këmba ime ka ndjekur me përpikmëri gjurmët e tij, i jam përmbajtur rrugës së tij pa devijuar;

[12] nuk jam larguar nga urdhërimet e buzëve të tij, përfitova shumë nga fjalët që kanë dalë prej gojës së tij më tepër se nga racioni tim i ushqimit.

[13] Por atij nuk i gjendet shoku, kush, pra, mund ta ndryshojë? Atë që do, ai e bën,

[14] kështu ai do të realizojë plotësisht atë që ka dekretuar kundër meje, dhe plane të tilla ka mjaft të tjera.

[15] Prandaj në prani të tij e ndjej veten të tmerruar; kur e mendoj këtë, ia kam frikën atij.

[16] Perëndia ma ligështon zemrën, i Plotfuqishmi më tmerron.

[17] Sepse nuk u asgjësova përpara territ; dhe ai nuk e fshehu terrin e dendur nga fytyra ime".

Jobi — Chapters