[1] "Ja, tërë këtë syri im e pa dhe veshi im e dëgjoi dhe e kuptoi.
[2] Atë që ju dini e di edhe unë; nuk vij pas jush.
[3] Por do të dëshiroja të flas me të Plotfuqishmin, do të më pëlqente të diskutoja me Perëndinë;
[4] sepse ju jeni trillues gënjeshtrash, jeni të gjithë mjekë pa asnjë vlerë.
[5] Oh, sikur të heshtnit fare, kjo do të ishte dituria juaj.
[6] Dëgjoni tani mbrojtjen time dhe vini re deklaratat e buzëve të mia.
[7] A doni vallë të flisni në mënyrë të mbrapshtë në mbrotje të Perëndisë dhe të flisni në favor të tij me mashtrime?
[8] A doni të përdorni anësi me të ose të mbroni një kauzë të Perëndisë?
[9] Do të ishte më mirë për ju që ai t'ju hetonte, apo talleni me të ashtu si talleni me një njeri?
[10] Me siguri ai do t'ju qortojë, në rast se fshehurazi veproni me anësi.
[11] Madhëria e tij vallë a nuk do t'ju kallë frikë dhe tmerri i tij a nuk do të bjerë mbi ju?
[12] Thëniet tuaja moralizuese janë proverba prej hiri, argumentet tuaja më të mira nuk janë veçse argumente prej argjila.
[13] Heshtni dhe më lini mua të flas, pastaj le të më ndodhë çfarë të dojë.
[14] Pse duhet ta mbaj mishin tim me dhëmbët dhe ta vë jetën time në duart e mia?
[15] Ja, ai do të më vrasë, nuk kam më shpresë; sidoqoftë, do ta mbroj para tij qëndrimin tim.
[16] Ai do të jetë edhe shpëtimi im, sepse një i pabesë nuk do të guxonte të paraqitej para tij.
[17] Dëgjoni me vëmendje fjalimin tim dhe deklaratat e mia me veshët tuaj.
[18] Ja, unë e kam përgatitur kauzën time; e di që do të njihem si i drejtë.
[19] Kush kërkon, pra, të hahet me mua? Sepse atëherë do të heshtja dhe do të vdisja.
[20] Vetëm mos bëj dy gjëra me mua, dhe nuk do t'i fshihem pranisë sate;
[21] largoje dorën nga unë dhe tmerri yt të mos më kallë më frikë.
[22] Pastaj mund edhe të më thërrasësh edhe unë do të përgjigjem, ose do të flas unë, dhe ti do të përgjigjesh.
[23] Sa janë fajet e mia dhe mëkatet e mia? Më bëj të ditur shkeljet e mia dhe mëkatin tim!
[24] Pse më fsheh fytyrën tënde dhe më konsideron si armikun tënd?
[25] Mos do vallë të trembësh një gjethe të shtyrë sa andej dhe këndej dhe të ndjekësh ca kashtë të thatë?
[26] Pse shkruan kundër meje gjëra të hidhura dhe bën që të rëndojë mbi mua trashëgimia e fajeve të rinisë sime?
[27] Ti i vë këmbët e mia në pranga dhe kqyr me kujdes rrugët e mia; ti vendos një cak për tabanin e këmbëve të mia,
[28] Ndërkaq trupi im po shpërbëhet si një send i kalbur, si një rrobë që e ka grirë mola".