Skip to content
Opens in a new window

[1] Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

[2] "Dëgjoni me kujdes atë që kam për të thënë, dhe kjo të jetë kënaqësia që më jepni.

[3] Kini durim me mua dhe më lini të flas dhe, kur të kem folur, edhe talluni me mua.

[4] A ankohem vallë për një njeri? Dhe pse fryma ime nuk duhet të trishtohet?

[5] Shikomëni dhe habituni, dhe vini dorën mbi gojë.

[6] Kur e mendoj, më zë frika dhe mishi im fillon të dridhet.

[7] Pse, pra, jetojnë të pabesët dhe pse plaken dhe shtojnë pasuritë e tyre?

[8] Pasardhësit e tyre fuqizohen bashkë me ta nën vështrimet e tyre dhe fëmijët e tyre lulëzojnë në sytë e tyre.

[9] Shtëpitë e tyre janë në siguri, pa tmerre, dhe fshikulli i Perëndisë nuk rëndon mbi ta.

[10] Demi i tyre mbars dhe nuk gabon, lopa e tyre pjell pa dështuar.

[11] Dërgojnë jashtë si një kope të vegjlit e tyre dhe bijtë e tyre hedhin valle.

[12] Këndojnë në tingujt e timpanit dhe të qestes dhe kënaqen me zërin e flautit.

[13] I kalojnë në mirëqënie ditët e tyre, pastaj një çast zbresin në Sheol.

[14] Megjithatë i thonin Perëndisë: "Largohu nga ne, sepse nuk dëshirojmë aspak të njohim rrugët e tua.

[15] Kush është i Plotfuqishmi të cilit duhet t'i shërbejmë? Ç'përfitojmë veç kësaj kur e lusim?".

[16] Ja, begatia e tyre a nuk është vallë në duart e tyre? Këshilla e të pabesëve është mjaft larg meje.

[17] Sa herë shuhet llamba e të këqijve ose shkatërrimi bie mbi ta, vuajtjet që Perëndia cakton në zemërimin e tij?

[18] A janë ata si kashta përpara erës ose si byku që e merr me vete stuhia?

[19] Ju thoni se Perëndia ruan dënimin e paudhësisë së dikujt për bijtë e tij. Ta shpaguajë Perëndia, që ai të mund ta kuptojë.

[20] Të shohë me sytë e tij shkatërrimin e vet dhe të pijë nga zemërimi i të Plotfuqishmit!

[21] Çfarë i hyn në punë në fakt shtëpia e tij mbas vdekjes, kur numri i muajve të tij është mbushur?

[22] A mundet ndokush t'i mësojë Perëndisë njohuri, atij që gjykon ata që ndodhen atje lart?

[23] Dikush vdes kur ka plot fuqi, i qetë dhe i sigurt;

[24] ka kovat plot me qumësht dhe palca e kockave të tij është e freskët.

[25] Një tjetër përkundrazi vdes me shpirt të hidhëruar, pa pasë shijuar kurrë të mirën.

[26] Që të dy dergjen bashkë në pluhur dhe krimbat i mbulojnë.

[27] Ja, unë i njoh mendimet tuaja dhe planet me të cilat doni të ushtroni dhunën kundër meje.

[28] Në fakt ju thoni: "Ku është shtëpia e princit, dhe ku është çadra, banesa e njerëzve të këqij?".

[29] Nuk i keni pyetur ata që udhëtojnë dhe nuk i njihni shenjat e tyre?

[30] Njerëzit e këqij në fakt shpëtojnë ditën e shkatërrimit dhe çohen në shpëtim ditën e zemërimit.

[31] Kush e qorton për sjelljen e tij dhe kush i jep shpagim për atë që ka bërë?

[32] Atë e çojnë në varr dhe i bëjnë roje varrit të tij.

[33] Plisat e luginës do të jenë të ëmbël për të; tërë njerëzia do ta ndjekë, ndërsa një mori pa fund i shkon para.

[34] Si mund të më ngushëlloni pra, me fjalë të kota, kur nga fjalët tuaja nuk mbetet veçse gënjeshtra?".

Jobi — Chapters