[1] Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:
[2] "Një njeri i urtë a përgjigjet vallë me njohuri të kota, dhe a mbushet me erëra lindore?
[3] Diskuton vallë me ligjërata boshe dhe me fjalë që nuk shërbejnë për asgjë?
[4] Po, ti heq mëshirën dhe eliminon lutjen përpara Perëndisë.
[5] Sepse prapësia jote t'i sugjeron fjalët dhe ti po zgjedh gjuhën e dinakëve.
[6] Jo unë, por vetë goja jote të dënon, dhe vetë buzët e tua dëshmojnë kundër teje.
[7] A je ti vallë i pari njeri që ka lindur apo je formuar përpara kodrave?
[8] A e ke dëgjuar ti këshillën sekrete të Perëndisë apo vetëm ti zotëroke diturinë?
[9] Çfarë di ti që ne nuk e dimë, ose çfarë kupton ti që nuk e kuptojmë edhe ne?
[10] Midis nesh ka njerëz flokëbardhë dhe pleq më të thinjur se ati yt.
[11] Të duken gjëra të vogla përdëllimet e Perëndisë dhe fjalët e ëmbla që të drejton ty?
[12] Pse, pra, zemra jote të çon larg dhe pse sytë e tu vetëtijnë,
[13] duke e drejtuar zemërimin tënd kundër Perëndisë dhe duke nxjerrë nga goja jote fjalë të tilla?".
[14] "Ç'është njeriu që ta konsiderojë veten të pastër dhe i linduri nga një grua për të qenë i drejtë?
[15] Ja, Perëndia nuk u zë besë as shenjtorëve të tij dhe qiejt nuk janë të pastër në sytë e tij;
[16] aq më pak një qenie e neveritshme dhe e korruptuar, njeriu, që e pi paudhësinë sikur të ishte ujë!
[17] Dua të të flas, më dëgjo; do të të tregoj atë që kam parë,
[18] atë që të urtit tregojnë pa fshehur asgjë nga sa kanë dëgjuar prej etërve të tyre,
[19] të cilëve vetëm iu dha ky vend dhe pa praninë e asnjë të huaji në radhët e tyre.
[20] I keqi heq dhembje tërë jetën e tij dhe vitet e caktuara për tiranin janë të numëruara.
[21] Zhurma të llahtarshme arrijnë në veshët e tij, dhe në kohën e bollëkut i sulet rrënuesi.
[22] Nuk ka shpresë kthimi nga errësira, dhe shpata e pret.
[23] Endet e kërkon bukë, po ku mund ta gjejë? Ai e di se dita e territ është përgatitur në krah të tij.
[24] Fatkeqësia dhe ankthi i shtien frikë, e sulmojnë si një mbret gati për betejë,
[25] sepse ka shtrirë dorën e tij kundër Perëndisë, ka sfiduar të Plotfuqishmin,
[26] duke u hedhur me kokëfortësi kundër tij me mburojat e tij të zbukuruara me tokëza.
[27] Ndonëse fytyra e tij është e mbuluar me dhjamë dhe ijet e tij janë fryrë nga shëndoshja e tepërt;
[28] ai banon në qytete të shkretuara, në shtëpi të pabanuara që do të katandisen në grumbuj gërmadhash.
[29] Ai nuk do të pasurohet dhe fati i tij nuk ka për të vazhduar, as edhe pasuria e tij nuk do të shtohet mbi tokë.
[30] Nuk do të arrijë të çlirohet nga terri, flaka do të thajë lastarët e tij, dhe do të çohet larg nga fryma e gojës së tij.
[31] Të mos mbështetet te kotësia; duke gënjyer veten, sepse kotësia ka për të qenë shpërblimi i tij.
[32] Do të kryhet para kohe, dhe degët e tij nuk do të gjelbërojnë më.
[33] Do të jetë si një hardhi nga e cila merret rrushi ende i papjekur, si ulliri nga i cili shkundet lulja.
[34] Sepse familja e hipokritëve do të jetë shterpë dhe zjarri do të përpijë çadrat e njeriut të korruptuar.
[35] Ata sajojnë paudhësinë dhe shkaktojnë shkatërrimin; në gjirin e tyre bluhet mashtrimi.