Skip to content
Opens in a new window

[1] "Unë kisha bërë një besëlidhje me sytë e mi; si mund ta fiksoja, pra, shikimin mbi një virgjëreshë?

[2] Cili është fati që më ka caktuar Perëndia nga atje lart dhe trashëgimia e të Plotfuqishmit nga vendet e larta?

[3] A nuk është vallë fatkeqësia për njeriun e çoroditur dhe mjerimi për atë që kryen të keqen?

[4] Nuk i shikon ai tërë rrugët e mia dhe nuk i numëron të gjitha hapat që bëj?

[5] Në rast se kam vepruar me falsitet, ose në rast se këmba ime është shpejtuar të ndjekë mashtrimin,

[6] le të më peshojë me një peshore të saktë, dhe Perëndia do ta njohë ndershmërinë time.

[7] Në qoftë se hapat e mia kanë dalë nga rruga e drejtë, dhe në qoftë se zemra ime ka ndjekur sytë e mi, apo në se ndonjë njollë u është ngjitur duarve të mia,

[8] le të mbjell unë dhe një tjetër të hajë, dhe pasardhësit e mi u çrrënjofshin.

[9] Në rast se zemra ime është mashtruar nga një grua dhe kam përgjuar në portën e të afërmit tim,

[10] gruaja ime le të bluajë për një tjetër dhe të tjerë u përkulshin mbi të.

[11] Sepse kjo do të ishte një mbrapshti, një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët,

[12] një zjarr që konsumon deri në Abadon, dhe do të kishte shkatërruar deri në rrënjë gjithë të korrat e mia.

[13] Në rast se kam hedhur poshtë të drejtën e shërbëtorit tim dhe të shërbëtores sime, kur po grindeshin me mua,

[14] çfarë do të bëja kur Perëndia të ngrihej kundër meje, dhe si do t'i përgjigjesha kur të më kërkonte llogari?

[15] Ai që më ka bërë mua në barkun e nënës, a nuk e ka bërë edhe atë? A nuk ka qenë po ai Perëndi që na ka krijuar në bark?

[16] Në rast se u kam refuzuar të varfërve atë që dëshironin dhe bëra të veniten sytë e gruas së ve,

[17] në rast se e hëngra vetëm copën e bukës pa i dhënë një pjesë jetimit,

[18] (por që në rininë time unë e rrita si një baba, dhe që në bark të nënës sime e kam ndihmuar gruan e ve)

[19] në rast se kam parë dikë të vdesë për mungesë rrobash ose një të varfër që nuk kishte me se të mbulohej,

[20] në rast se ijet e tij nuk më kanë bekuar, dhe nuk është ngrohur me leshin e qengjave të mi,

[21] në qoftë se kam ngritur dorën kundër jetimit, sepse e dija që do të ndihmohesha tek porta,

[22] supi im u ndaftë nga shpatulla, krahu im u theftë në bërryl!

[23] Sepse fatkeqësia që vjen nga Perëndia më kall drithma, dhe për shkak të madhështisë së tij nuk mund të bëj asgjë.

[24] Në qoftë se kam pasur besim tek ari, dhe arit të kulluar i kam thënë: "Ti je shpresa ime",

[25] në rast se jam gëzuar sepse pasuritë e mia ishin të mëdha, dhe sepse dora ime ka grumbulluar shumë pasuri,

[26] në qoftë se kam shikuar diellin kur shkëlqen ose hënën që shkonte përpara duke ndritur, dhe zemra ime u mashtrua tinëz dhe goja ime puthi dorën time;

[27] edhe ky do të ishte një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët, sepse do të kisha mohuar Perëndinë që rri aty lart.

[28] Në rast se jam gëzuar për fatkeqësinë e armikut tim dhe u ngrita, sepse e kishte goditur fakeqësia

[29] (por unë nuk e lejova gojën time të mëkatonte, duke i uruar të vdesë me një mallkim);

[30] në qoftë se njerëzit e çadrës sime nuk kanë thënë: "Kush mund të gjejë një që nuk është ngopur me mishin e tij?".

[31] (përveç kësaj asnjë i huaj nuk e kalonte natën jashtë, sepse i hapja portat e mia udhëtarit);

[32] në rast se i kam mbuluar mëkatet e mia si Adami, duke e fshehur fajin tim në gji,

[33] sepse kisha frikë nga turma e madhe dhe përbuzja e familjeve më tmerronte, kështu që rrija i heshtur pa dalë nga shtëpia.

[34] Ah, sikur të kisha një që të më dëgjonte! Ja firma ime! I Plotfuqishmi të më përgjigjet! Kundërshtari im të shkruajë një dokument,

[35] dhe unë do ta mbaja me siguri mbi shpatullat e mia, dhe do ta mbaja si një diademë

[36] do t'i jepja llogari për të gjitha hapat e mia, duke iu paraqitur si një princ.

[37] Në qoftë se toka ime bërtet kundër meje dhe brazdat e saj qajnë bashkë me të,

[38] në rast se kam ngrënë frytin e saj pa paguar, në rast se u kam nxjerrë frymën e fundit zotërve të saj,

[39] në vend të grurit u rritshin ferra dhe barëra të këqija në vend të elbit".

[40] Këtu mbarojnë fjalët e Jobit.

Jobi — Chapters