Skip to content
Opens in a new window

[1] Atëherë Zofari nga Naamathi u përgjigj dhe tha:

[2] "Për këtë mendimet e mia më shtyjnë të përgjigjem, për shkak të shqetësimit që ndjej brenda vetes sime.

[3] Kam dëgjuar një qortim që më turpëron, por fryma ime më shtyn të përgjigjem ashtu si e gjykoj.

[4] A nuk e di ti që gjithnjë, qysh prej kohës që njeriu u vu mbi tokë,

[5] triumfi i të këqijve zgjat pak dhe gëzimi i të pabesëve zgjat vetëm një çast?

[6] Edhe sikur madhështia e tij të arrinte deri në qiell dhe koka e tij të prekte retë,

[7] ai do të vdesë për gjithmonë si jashtëqitjet e tij; ata që e kanë parë do të thonë: "Ku është?".

[8] Do të fluturojë si një ëndërr dhe nuk do të gjendet më; do të zhduket si një vegim nate.

[9] Syri që e shihte, nuk do ta dallojë më; edhe banesa e tij nuk do ta shohë më.

[10] Bijtë e tij do të kërkojnë të fitojnë favorin e të varfërve dhe duart e tij do të rivendosin pasurinë e tij.

[11] Forca rinore që i mbushte kockat do të dergjet në pluhur bashkë me të.

[12] Edhe sikur e keqja të jetë e ëmbël në gojën e tij, ai e fsheh atë nën gjuhë,

[13] nuk lejon që të dalë që andej por vazhdon ta mbajë në gojë.

[14] Por ushqimi i tij, që është në zorrët e veta transformohet dhe bëhet një helm gjarpëri brenda tij.

[15] Ai do të vjellë pasuritë që ka gëlltitur; vetë Perëndia do t'ia nxjerrë nga barku.

[16] Ai ka thithur helm gjarpëri, gjuha e një nepërke do ta vrasë.

[17] Nuk ka për të parë më lumenj as përrenj që rrjedhin me mjaltë dhe gjalpë.

[18] Do të kthejë atë për të cilën është lodhur pa e vënë aspak në gojë; nuk do të ketë asnjë gëzim nga përfitimet e tregtisë së tij.

[19] Sepse ka shtypur dhe braktisur të varfrin, ka shtënë në dorë me forcë një shtëpi që nuk e kishte ndërtuar.

[20] Duke qenë se lakmia e tij nuk ka njohur kurrë qetësi, ai nuk do të shpëtojë asgjë nga gjërat që dëshironte aq shumë.

[21] Asgjë nuk do t'i shpëtojë pangopësisë së tij, prandaj mirëqënia e tij nuk do të zgjasë.

[22] Kur të jetë në kulmin e bollëkut do të gjendet ngushtë; dora e të gjithë atyre që vuajnë do të ngrihet kundër tij.

[23] Kur të jetë bërë gati për të mbushur barkun, Perëndia do të dërgojë mbi të zjarrin e zemërimit të tij, që do të bjerë mbi të kur të jetë duke ngrënë.

[24] Ai mund të shpëtojë nga një armë prej hekuri, por atë do ta shpojë një hark prej bronzi.

[25] Nxirret shigjeta që del nga trupi i tij, maja e shndritshme del nga vreri i tij, atë e pushton tmerri.

[26] Errësirë e plotë është caktuar për thesaret e tij; do ta konsumojë një zjarr jo i nxitur; ata që kanë mbetur në çadrën e tij do të jenë në ankth.

[27] Qielli do të zbulojë paudhësinë e tij dhe toka do të ngrihet kundër tij.

[28] Të ardhurat e shtëpisë së tij do t'i merren, do t'i marrin në ditën e zemërimit të tij.

[29] Ky është fati që Perëndia i cakton njeriut të keq, trashëgimi që i është dhënë nga Perëndia.

Jobi — Chapters